E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri Beja: ”Pension suplementar për profesorët”

Autori i Lajmit: red.
Qeveria cakton pension suplementar për profesorët e asociuar. Sipas ligjit përkatës, ky është një pension që mund të shkojë deri në katërfishin e pensionit bazë të pleqërisë. Ministri i Arsimit dhe i Shkencës, Fatos Beja, pas përfundimit të mbledhjes së djeshme të qeverisë, foli për vendimin e marrë për t u akorduar pension suplementar profesorëve. Në një konferencë për shtyp, ministri Beja tha për mediat se “për personelin akademik me titullin shkencor, “Profesor” dhe “Profesor i Asociuar”, ose “Drejtues Kërkimesh” dhe “Mjeshtër Kërkimesh”, qeveria ka vendosur që të gjithë të marrin një pension suplementar, në një masë të konsiderueshme. Ky është një vendim i shumëpritur, sipas kontakteve që unë kam pasur me profesoratin, me shumë profesorë të shquar, të cilët me dekada na kanë dhënë mësim të gjithëve, breza të ndryshëm shqiptarësh, të cilët janë në prag të pensionit ose përfitojnë ndërkohë që janë në pension”. Sipas këtij vendimi, të gjithë profesorët kanë të drejtë të përfitojnë një pension shtetëror suplementar, qoftë ata të cilët nuk kanë mundur të japin një kontribut suplementar, aq më tepër ata që janë në funksion sot dhe do të kontribuojnë dhe në të ardhmen me një përqindje, siç veprohet me të gjitha rastet e pensioneve suplementare. Sipas ministrit të Arsimit, Beja, ky është një pension suplementar, i cili mund të shkojë deri në katër herë të pensionit bazë të pleqërisë, sipas ligjit përkatës. Jashtë kësaj çështjeje ministri Beja gjatë konferencës u bëri sërish thirrje studentëve të aplikojnë për kartat e reja të identitetit. “I ftoj përsëri të gjithë studentët, të cilët nuk kanë një pasaportë për jashtë shtetit, - u shpreh ministri, - të përfitojnë nga mundësia që kanë, të shkojnë pranë fakulteteve në të cilët studiojnë, të paguajnë vetëm 200 lekë dhe të marrin kuponin për të bërë kartën e identitetit. Sipas tij, studentët duhet të ushtrojnë detyrën e tyre të qytetarit, duke pasur një kartë identifikimi, që është e domosdoshme për çdo qytetar të të gjitha vendeve evropiane. ”Kjo do të ishte, njëkohësisht është, edhe një kontribut individual, që si qytetarë të shkojmë të gjithë në zgjedhje”, - përfundoi Beja fjalën e tij.
Ky lajm është publikuar: 16/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›