E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjimnazistët me dy diploma, në shqip dhe gjermanisht

Autori i Lajmit: red.
Nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri” në Tiranë, duke nisur nga viti shkollor i ardhshëm do të mund të regjistrohen në seksionin dygjuhësh shqip-gjermanisht. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja, dhe ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, Bernd Borchardt, nënshkruan dje në MASH një Memorandum Bashkëpunimi për hapjen e një seksioni dygjuhësh gjermano-shqiptar në gjimnazin e kryeqytetit. Gjermanishtja do të përdoret si gjuhë edhe në shkollat “Fan Noli”, “Avni Rustemi” dhe “Jeronim de Rada”. Ky seksion, krahas mësimit intensiv të gjermanishtes përfshin edhe mësimdhënien e lëndëve të caktuara në gjuhën gjermane, si matematikë, gjeografi, fizikë dhe kimi. Në fund të shkollës këta nxënës kanë mundësi të japin provimet e maturës në shqip dhe gjermanisht. Gjithashtu, gjuha e huaj gjermanisht, do të ofrohet edhe në shkollat 9-vjeçare “Fan Noli”, “Avni Rustemi” dhe “Jeronim de Rada”. Ministri Beja vlerësoi nënshkrimin e marrëveshjes duke theksuar se nxënësit që mbarojnë këtë seksion dygjuhësh i bëjnë lëndët edhe në shqip edhe në gjermanisht dhe në fund të studimit, përveç Dëftesës Shqiptare të Pjekurisë marrin edhe një Diplomë e Gjuhës Gjermane, që certifikon marrjen e njohurive në gjuhën gjermane sipas standardit gjerman. Me këtë marrëveshje shtrihet hapësira e pjesëmarrjes së nxënësve dhe në tri shkolla 9-vjeçare, të cilat do të furnizojnë gjimnazin me nxënës që kanë bërë gjermanisht më shumë orë se sa në shkollat e tjera. Gjermanishtja është një nga pesë gjuhët e BE-së, e cila mësohet në shkollat tona. Mësohet edhe në shkollat e gjuhëve të huaja në disa qytete të Shqipërisë. Sipas ministrit Beja, objektivi është që diplomat, dëftesat që do të marrin do të jenë të përputhshme me kuadrin e referencës evropiane të gjuhëve. Kjo lehtëson që nxënësit shqiptarë të mund të vijojnë studimet në të gjitha vendet e Evropës, njëkohësisht lehtëson dhe proceset integruese të Shqipërisë. Ndërsa ambasadori Borchardt vlerësoi mundësinë që po i hapet gjermanishtes në shkollat shqiptare si një gjuhë që flitet si gjuhë amtare nga pothuaj 1/4 e vendeve të BE-së dhe si gjuha e dytë më e rëndësishme zyrtare brenda BE-së.

Ky lajm është publikuar: 16/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›