E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ju rrëfej dashurinë time”

Autori i Lajmit: red.
Suela Konjari, aktorja e njohur e komedive rrëfen dashuritë. Është protagoniste në telekomedinë më të re, e cila së shpejti do të transmetohet për publikun shqiptar, ndërsa Suela zbulon disa nga sekretet dhe të fshehtat e kësaj telekomedie. Simpatike dhe spontane, aktorja e njohur Suela Konjari pohon se, “Më thonë shumë nga miqtë e mi që “ti je zjarr” edhe mua më pëlqen që jam zjarr. Unë them që jam një vullkan vërtetë”.

Suela, jeni një nga protagonistet e një telekomedie të re, e cila do të transmetohet së shpejti. Na tregoni pak për këtë...
Ka pak ditë që kemi mbyllur xhirimet me një telekomedi të televizionit shqiptar. Unë zakonisht jam nga ato lloj karaktere të aktoreve që më pëlqen kur punoj në grupe që i njoh. Ka qenë një produksion që vërtetë më kanë përkëdhelur, jam ndier shumë mirë, kemi punuar me shumë dashuri dhe kjo është shumë e rëndësishme, kur nga i gjithë grupi ndihet dashuri për të bërë punën sepse sheshi i xhirimit është i lodhshëm me të papritura sepse je i varur edhe nga kushtet atmosferike. Megjithatë them se kam kaluar një përvojë shumë të mirë, më kishte marrë malli edhe për një shesh xhirimi. Shpresoj që, për të mos folur përpara kohe, shpresoj që filmi të ketë rezultatin që ne dëshirojmë të gjithë sepse jemi të gjithë shumë të interesuar që të ketë suksesin e merituar tek spektatori. Është një telekomedi, dhe them që sot më shumë se kurrë njerëzit kanë nevojë të qeshin dhe besoj se do ju dhurojmë buzëqeshje, shpresojmë t ua dhurojmë.

Cili është regjisori i këtij filmi dhe çfarë subjekti trajton ky film?
Regjisori i kësaj telekomedie është regjisori i Radio Televizionit Shqiptar, Arjan Çuliqi. Ishte hera e parë që unë kisha një bashkëpunim me të, jam ndier shumë mirë, ai dinte të dëgjonte siç di edhe unë ta dëgjoj regjisorin, kjo është shumë e rëndësishme. Edhe skenari është i tij dhe ishte një plus sepse duke pasur edhe skenarin duke pasur edhe regjinë, vizioni i tij në kuadrin e filmit në përgjithësi ishte shumë i qartë dhe ne aktorët nuk do të lodheshim shumë për tu marrë vesh. Megjithatë ai ishte shumë komod, sepse edhe në momentin që kishe nevojë për të komunikuar ai ta jepte këtë lloj mundësie. Di t ju them se ishte një eksperiencë shumë e mirë dhe jam ndjerë vërtetë shumë mirë. Është një telekomedi me një staf aktorësh simpatik. Partneri im është Cekja dhe jam shumë e kënaqur që mu dha përsëri rasti ta kisha jo vetëm partner, sepse unë Ceken e kam shumë mik dhe jam ndjerë shumë mirë. Por për ta mbajtur pak misterin deri sa filmi të shfaqet nuk do të më pëlqente shumë që të flisnim për tematikën. Them që është një telekomedi që do t ju jap kënaqësi.

Keni qenë në shumë filma partnere e Cekes dhe realisht shkoni shumë së bashku artistikisht. Cila është marrëdhënia juaj në skenë dhe në jetë?
Cekja është një aktor i komedisë që e ka krijuar emrin e tij, është një aktor mjaft komod, edhe si partner është mjaft komod, është shumë punëtor dhe preokupimi që ka në sheshin e xhirimit dhe mënyrën se si komunikon të jep mundësinë edhe shansin që të kuptosh që ke përballë një partner që të krijon komoditetin e ndihesh rehat kur interpreton. Me Ceken kjo gjë ndihet.

Në këtë film çfarë karakteri ka personazhi juaj?
Jam një grua e zakonshme, bashkëshortja e Cekes. Një grua që jeton në kushte normale dhe që gjithë jetën ka ëndërruar që të ketë dikur shumë para. Kjo është një grua që ka dëshirë që edhe kur t i ketë të gjitha ato para t i ketë për vete. Është karakter simpatik dhe them që e kam bërë me dashuri rolin.

Suela, ju jeni një grua që do shumë para, keni të përbashkët në këtë pik me personazhin?
Jo problemi është që unë nuk e kam raportin shumë të mirë me paratë, sepse sa herë që unë kam para i shpenzoj brenda ditës mundësisht. Them se duhet ta korrigjoj këtë gjë, por është si puna e njeriut që kur ka shumë dashuri do ta konsumoj menjëherë atë.

Për çfarë i shpenzoni më shumë paratë?
Mua më pëlqen shumë të bëj Shooping, jashtëzakonisht shumë. Mirëpo kam vënë re që sa herë që hyj në ndonjë butik për të blerë me mendimin për vete nuk dal me gjëra për veten. Unë jam natyrë që kur bëj shooping pa diskutim më pëlqen që të bëj dhurata. Ju bëj njerëzve dhurata, miqve, kam kënaqësi sepse dhurata të bën të ndihesh shumë mirë me rast apo pa rast. Mua më vjen shumë mirë kur shikoj njerëzit që lumturohen në momentin që ti i dhuron diçka jo për vlerën e dhuratës se sa për mendimin që ti ke për të dhe mua kjo gjë më bën të ndihem edhe vetë shumë mirë.

Kush është dashuri më e madhe për ju apo ku ndiheni më komode, në një shesh xhirimi apo më në skenë teatri?
Unë kam luajtur filma, jo shumë sepse nuk jam aktore që njihem nga publiku si aktore e filmit. Kam bërë filma, kam filluar të aktivizohem në filma që në vitin e 4 të fakultetit, të Akademisë së Arteve. Unë jam aktore karakteresh dhe rolet që kam luajtur në filma nuk kanë qenë role të para, siç i quajmë ne aktorët, dhe kryesor, por kanë qenë role të vegjël dhe role, që mund të vizatosh dhe mund të kesh mundësinë për të krijuar figura që ngelen në memorien e publikut. Janë karaktere të vizatuara qoftë nga skenaristi, qoftë nga regjisori apo edhe nga puna që bën aktori që bëhen të dashur për publikun. Mua më pëlqen filmi, nuk është se nuk më pëlqen, por nuk jam e dashuruar me filmin, jam e dashuruar me teatrin sepse jam natyrë që më pëlqen që të jap ndjenja dhe ti marr në mënyrë të drejtpërdrejtë. Më pëlqen që të ndiej frymëmarrjen e spektatorit kur jam në publik dhe ajo më ngre adrenalinën. Është shumë e rëndësishme kjo për mua.

Si e keni krijuar marrëdhënien me publikun në skenë dhe si e ndieni atë?
Publiku është kyçi i sekretit për mua, të një spektakli, të një shfaqjeje, të një aktori sepse është faktori që të bën për të dhënë maksimumin tënd. Sigurisht një aktor profesionist edhe kur nuk e ka sallën të mbushur punon me të gjitha bateritë që ka sepse duhet vlerësuar edhe ai publik aq i vogël që ndodhet në sallë. Megjithatë një sallë e mbushur plot të jep tjetër emocion. Ne aktorët gjithmonë kur mbarojmë shfaqjen themi “salla ishte plot”. Është një dashuri e veçantë dhe një marrëdhënie ndërmjet njerëzve që të ndjekin dhe ti që interpreton. Është ai që mua më bën të jetoj 2 orë sikur po jetoj dashurinë më të madhe të jetës.

Skena dhe teatri ju fal dashuri por financiarisht vlerësoheni?
Ka ndryshuar, nuk është si më parë. Megjithatë artistët duke qenë natyra shumë emocionale harrojnë në një moment që paratë iu duhen për të jetuar. Them se ana ekonomike për artistët ka ndryshuar. Nuk them se ka arritur atë që duhet të arrij absolutisht, por ka ndryshuar për mirë.

Suela, ju kemi parë më së shumti si një aktore komedish. Po drama ç vend zë për ju?
Unë në teatër kam luajtur edhe dramë dhe them se është e vërtetë që kam bërë më shumë role në komedi, megjithatë nuk e kam trajtuar asnjëherë, nuk e kam konsideruar asnjëherë rolin që kam bërë në komedi thjesht një rol komik, thjesht komedi. Kam një eksperiencë nga viti 1995 me një regjisor rumun, që për mua eksperienca me të përbën një shkollë dhe gjatë bisedave me të, gjatë punës me të kam kuptuar që komedia ashtu siç e thoshte ai, është matematika e lartë e teatrit. Aktori i komedisë asnjëherë nuk niset që të thotë batutën për të qeshur, është shumë me rëndësi të kuptosh se komedia dhe drama esencën në interpretim e kanë një, të jesh e vërtetë dhe të luash hallin. Unë asnjëherë nuk jam përpjekur për të të krijuar ty të qeshura, jo, unë kam krijuar mundësinë që ata të qeshin dhe të analizojnë pas komedisë, jam përpjekur që ta luaj në mënyrë sa më dramatike problemin që ka ky personazh dhe them se ky është element shumë i rëndësishëm për të mos rënë në mediokritet.

Si e shikoni gjendjen e teatrit aktualisht, në cilësi, në talente të reja?
Teatri ka probleme. Mua më vjen shumë keq që teatri ka probleme. Dua ta lë me kaq sepse nuk do të më pëlqente të bëja më shumë koment se kaq, kjo mjafton. Djem dhe vajza të talentuar ka për të cilët teatri ka nevojë, sepse mua më vjen shumë keq që në teatër nuk ka një Zhuliet dhe Zhulieta duhet të jetë një vajzë e re, e talentuar që duhet të jetë në teatër. Të rinjtë nuk kanë mundësinë për të qenë forca të brendshme të teatrit. Teatri duhet të ketë më shumë të rinj.

Suela, keni një marrëdhënie speciale me vajzën tuaj, jo vetëm si nënë e bijë por shumë më tepër...
Unë sa herë që bëj intervista përpiqem me vete të bëj një autosugjestion për t i thënë vetes që këtë herë fol vetëm për Suelën dhe mos fol për Krisin, por e kam të pamundur. Marrëdhënia jonë është një marrëdhënie që e njohin të gjithë, sepse ne jemi të pandara, jemi mikesha dhe fakti që Krisi është rritur dhe ajo është e zonja që të flasë për veten e saj, unë nuk kam më shumë të drejtë për të folur për të, por di të them vetëm një gjë që, në jetë ekziston një dashuri shumë e madhe për gjithkënd. Për mua dashuria e madhe është Krisi.

Sa ka trashëguar nga karakteri juaj Krisi dhe dashuria për artin?
Krisi ka nga i ati Miri dhe nga unë. Ka marrë gjërat më të mira tonat. Nga Miri ka marrë vullnetin për të punuar shumë, Krisi ka një vullnet të jashtëzakonshëm, punon shumë, ka mendime të qarta për veten, është vajzë e fortë dhe nuk është aq emocionale si natyrë siç jam unë. Nga unë ka marrë dashurinë e madhe për njerëzit, unë i dua shumë njerëzit. Më pëlqen që ti dua shumë të gjithë. E ndjej që edhe Krisi e ka këtë, i do shumë njerëzit, por në tjetër formë nga unë. Është vajzë e dhembshur dhe them se është një miks shumë i mirë i dy karaktereve artistik. Krisi e do shumë baletin, nuk e ka mbaruar akoma shkollën e mesme të Baletit, është në vitin e tretë. Sigurisht që ajo mendimin për vetë veten e ka të qartë, se çfarë do të vazhdoj dhe mua më vjen mirë që ajo di të marr vendime për vetë veten dhe unë nuk kam frikë nga vendimet që ajo merr sepse është vajzë shumë e pjekur, shumë e mençur dhe nga mençuria e pjekuria e së cilës ka raste që edhe unë kam nevojë.

Jeni një karakter shumë energjik, qoftë në jetë ashtu edhe në skenë. Nga ju buron kjo energji?
Më thonë shumë nga miqtë e mi, me të cilët unë ndaj çdo sekond të ndjenjave të mia, të problemeve të mia, të gëzimeve. Më thonë që “ti je zjarr” edhe mua më pëlqen që jam zjarr. Unë them që jam një vullkan vërtetë. Ndoshta është kjo që, unë asnjëherë nuk i fsheh gjërat që ndjej. Natyra ime e hapur bën që të shpërthejnë dhe të bëhen të lexueshme të gjitha ndjesitë që kam unë, qofshin pozitive, qofshin negative. Dashuria është ajo që të bën që të jesh gjithmonë me adrenalinë të artë, është teatri, është Krisi, janë njerëzit që më rrethojnë. Unë thashë që ndihem mikeshë e njerëzve, të cilët janë spektator të teatrit dhe kur i takoj, vërtetë i njoh në atë moment, por më duket sikur i kam miq prej shumë kohësh. Ndoshta kjo.

Suela, dimë që jeni një shtëpiake e mirë, madje ju pëlqen shumë që të bëni shtiza apo të qepni. E keni pasion këtë, e quani art më vete apo si e konsideroni ju?
Unë jam një grua që nuk më pëlqen asnjëherë që të distancohem nga e zakonshmja. Më pëlqen normalja dhe e zakonshmja, sepse artistët janë si të gjithë njerëzit. Në mënyrë absolute e them këtë gjë. Mua më pëlqen që të merrem edhe me punë shtëpiake dhe e them me krenari që jam një shtëpiake e shkëlqyer. Jam një grua që i përkushtoj dhe gjej kohë për tu marrë me shtiza, me makinën qepëse, siç gjej kohë për të lexuar, për të parë emisione në Televizion, siç gjej kohë për tu marrë me miq, për ti përkushtuar kohë miqve. Është një pasion shumë i hershëm i imi që unë të qep dhe është një mikeshë shumë e mirë në momente kur ndihem bosh. Për të bërë një vepër tjetër arti, në një tjetër formë dhe për t i dhënë jetë një cope apo disa fijeve peri, për t i dhënë frymë ashtu siç i jap frymë një roli, për t iu dhënë edhe atyre frymë nga fryma ime. Sigurisht e bëj me shumë dashuri. Është një pasion që asnjëherë nuk është zbehur. Dikur i kam dhënë më shumë kohë dikur më pak, por gjithmonë unë e gjej kohën sepse gjërat që unë i dua nuk i braktis asnjëherë.

Keni një karrierë të gjatë, që natyrisht duhet të ketë patur periudha vështirësie, krize ndoshta. Keni menduar ndonjëherë ta braktisni aktrimin?
Unë në përgjithësi që nga dita e parë që kam filluar punë në Teatrin Kombëtar e quaj veten një aktore me shumë fat nga Zoti sepse kam pasur fatin që të luaj me vepra dhe regjisor shumë të mirë. Nuk është pak që të punosh me regjisor si Pirro Mani, Gëzim Kame, Agim Qirjaqi, Hervin Çuli, të punosh me regjisor që dinë të të vendosin në vendin e duhur dhe të bëjnë që të ndihesh mirë dhe të japësh maksimumin tënd. Unë nuk kam menduar asnjëherë se ç mund të ishte bërë me Suelën jashtë skenës sepse unë me dashurinë për skenën kam lindur, jam nga një baba që ka qenë balerin në TOB dhe unë lidhje me skenën e kam pasur që e vogël kur shkoja dhe ndiqja jo vetëm provat por edhe premierat e TKOB-it. Si duket është një lidhje organike që është rritur me mua. Unë nuk di të them nëse do të isha bërë diçka tjetër. Më ka pëlqyer të jem në skenë jo vetëm për të qenë në qendër të vëmendjes por sepse gjithmonë kam menduar që arti është një profesion që të krijon mundësinë për t i dashur më shumë njerëzit, për të qenë më afër tyre.

Ky lajm është publikuar: 16/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›