E Diel, 1 Nëntor 2026

KESH: Fituam 40 milionë euro nga eksportet

Korporata shijon bum të ardhurash si pasojë e shirave. Shlyhen edhe borxhet

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare raportoi dje se ka arkëtuar 40 milionë euro në tremujorin e parë të këtij viti nga bumi i eksporteve të energjisë elektrike.

“Kemi shitur 900 milionë kilovatorë gjatë tremujorit të parë, ndërsa deri në fund të prillit do të shesim në total 1.4 miliardë kilovatorë”, deklaroi kreu i KESH, Muharrem Stojku, duke theksuar se nga eksporti në arkën e korporatës do të hyjnë këtë muaj edhe 17 milionë euro të tjera.

Vitin e kaluar, KESH ka pasur të ardhura prej rreth 7.8 miliardë lekësh (rreth 57 milionë euro), gjë që do të thotë se këtë vit, korporata nën pronësi publike mund të shijojë dyfishim të xhiros vjetore.

Energjia elektrike po eksportohet përkundrejt çmimit mesatar prej 40 eurosh për MWh, por Shqipëria duket se gjatë këtij viti do të importojë drita përkundrejt çmimit prej 50 eurosh për MWh. Megjithatë, e rëndësishme është që pjesa dërrmuese e kostos së energjisë së importuar, do të mbulohet nga eksportet. Pavarësisht eksporteve të stërmëdha, sipas Stojkut, situata energjetike e vendit mbetet në kushte optimale. Liqeni i Fierzës, i cili është edhe rezervuari më i rëndësishëm energjetik i Shqipërisë, gjendet aktualisht në kuotën 295 metra, një metër poshtë kuotës maksimale të lejuar prej 296 metrash.

“Fierza ndodhet në kuotën e 295 metrave nga 296 metra që është kapaciteti. Po rritet eksporti që të mos ketë shkarkime të liqeneve”, tha Stojku. Sipas kreut të KESH, eksporti i energjisë nuk do ta dëmtojë vendin gjatë periudhave të thatësirës, por do të ndërpritet pikërisht në muajin qershor.

Jo efekt te çmimi i konsumatorëve

Situata shumë e mirë financiare e KESH-it këtë vit nuk do të ketë fare ndikim te çmimet e energjisë elektrike që paguhen nga konsumatorët. Paratë e arkëtuara, KESH do t’i përdorë për të shlyer borxhet që ka kundrejt qeverisë dhe bankave të tjera. Për KESH-in, këto janë të ardhura të jashtëzakonshme të shkaktuara nga sasia e stërmadhe e shirave. Me mbarimin e shirave, situata do të kthehet në “normalitet”. Në total, edhe këtë vit, Shqipëria do të jetë importues neto i energjisë elektrike.

TEC-i ndizet më 12 prill

Drejtori i KESH-it, Muharrem Stojku, njoftoi dje se ka në plan të ndezë për herë të parë termocentralin e Vlorës. Sipas tij, termocentrali do të ndizet për provë, duke filluar nga 12 prilli dhe do të mbahet në punë për një muaj. Pas provës, do të fiket dhe do të rindizet në gusht.

Termocentrali i Vlorës ka një fuqi të instaluar prej 93 MW dhe është në gjendje të prodhojë maksimalisht 700 milionë kilovatorë në vit. Kjo është një sasi e barabartë me 10 për qind të konsumit kombëtar. Shumë zyrtarë kanë përmendur herë pas here koston e këtij termocentrali, e cila rezulton 13 lekë për kWh, shifër shumë e lartë në krahasim me koston aktuale të importit prej 7 lekësh për kWh. Megjithatë, termocentrali i Vlorës do të ndihmojë për stabilizimin e rrjetit kombëtar, gjë që do të sjellë reduktimin e humbjeve në transmetim. Sipas statistikave zyrtare, humbjet në transmetim janë 210 milionë kWh me vlerë aktuale tregtare prej 11 milionë eurosh. Këto humbje nuk mund të eliminohen tërësisht, por ekspertët besojnë se me hyrjen në punë të TEC-it të Vlorës, do të reduktohen ndjeshëm. Nga ana tjetër, termocentrali do të ndihmojë KESH-in të menaxhojë më mirë kaskadën e Drinit, gjë që sjell përfitime në sasinë e energjisë fizike të prodhuar, por edhe përfitime shtesë financiare, që rrjedhin nga përdorimi i hidrocentraleve për të prodhuar energji në oraret e konsumit të lartë, kur edhe çmimi në tregun rajonal është më i lartë.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›