Kalon projektligji i tokave, u merret pronarëve u jepet bujqve që e punojnë
Në Shqipëri është rikthyer debati rreth një projektligjit për marrjen dhe dhënien me qira nga shteti të tokave bujqësore që pronarë i lenë pa punuar. Deputetë të maxhorancës miratojnë projektligjin, i cili synon vënien në qarkullim ekonomik të rreth 50 mijë ha tokë bujqësore të lëna djerrë nga pronarët e tyre, shumica në emigracion, por pa ndryshuar pronësinë.
Nga totali i sipërfaqes së tokës bujqësore në Shqipëri, rreth 560 hektarë, ose 80% janë në pronësi private dhe rreth 138 mijë hektarë, ose 20%, janë në pronësi shtetërore. Sipas specialistëve zgjidhja e këtij ngërçi mund të arrihet duke aplikuar më rigorozisht politikat e tatimeve dhe taksave. Megjithatë, debati pritet të jetë i zjarrtë pasi palët duket se e shikojnë këtë çështje edhe në kontekstin e fushatës për zgjedhjet lokale të cilat do të duhet të mbahen pas afro një viti. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho, duke vlerësuar këtë projektligj, tha se me futjen në fuqi të tij, pritet të rriten prodhimet bujqësore vendase. Sipas projektligjit, qeradhënia e tokës do të jetë për një periudhe maksimale 5 vjeçare, ndërsa taksën e tokës bujqësore do ta paguajë sërish pronari i ligjshëm i tokës. Sipas të dhënave që disponon Ministria e Bujqësisë, rezultojnë të pakultivuara rreth 50 mijë ha tokë nga sipërfaqja në pronësi private.
Projekligji
Të gjitha tokat e pakultivuara prej më shumë se dy vjetësh nga pronarët e ligjshëm do të jepen me qira nga pushteti vendor. Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese ka miratuar dje në parim projektligjin për përdorimin dhe shfrytëzimin e tokave bujqësore të pakultivuara. Mësohet se ky ligj nuk bën fjalë aspak për të cenuar të drejtën e pronësisë të fituar nëpërmjet ligjit. Sipas tij toka mbetet pronë e fermerit, por i jepet pushtetit vendor që të operojë me këto toka dhe ti jap ato me qira. Kontrata e qirasë do të jetë jo më e gjatë se pesë vjet në mënyrë që ti jepet mundësi pronarit të ligjshëm që të rimarrë tokën e tij për ta vënë në qarkullim ekonomik duke e kultivuar. Këto toka mund të kultivohen vetëm me bimë të arave dhe jo me investime afatgjata, si dru frutorë, sepse bëhet fjalë vetëm për një kontratë me afat jo shumëvjeçare. Të gjithë qytetarët që posedojnë toka bujqësore sipas ligjit 7501 ose edhe vreshta e ullishte kanë kohë deri në 31 janarin e vitit të ardhshëm për t'i përdorur dhe kultivuar, në të kundërt shteti do t'i japë me qira. Për shkak të lëvizjeve të popullsisë brenda vendit por edhe jashtë kufijve shumë toka kanë mbetur të papunuara dhe dhënia me qira është një zgjidhje optimale. Migrimi dhe emigrimi janë dy arsyet kryesore për të cilat shumë toka kanë mbetur të pakultivuara.
Shfrytëzimi
Sipas projektligjit për përdorimin dhe shfrytëzimin e tokave bujqësore të pakultivuara, 80% e qerasë së tokës do t'i jepet pronarit ndërkohë që 20% të vlerës do ta marrë njësia vendore. Vlera e dhënies së tokës me qira, do të jetë 10 për qind më pak se ajo e vlerës së tregut, për të nxitur në këtë mënyrë procesin e riqarkullimit të këtyre sipërfaqeve tokësore. Ky projektligj ka për qëllim të përcaktojë rregullat dhe procedurat për përdorimin dhe shfrytëzimin e tokave bujqësore të pakultivuara, për të garantuar funksionin social të pronës, në kuadrin e zhvillimit të qëndrueshëm bujqësor dhe rural. Për evidentimin e tokave bujqësore të pakultivuara, pranë çdo komune dhe/ose bashkie, krijohet dhe funksion komisioni i posaçëm. Komisioni bën çdo vit, brenda 15 shtatorit, verifikimin e sipërfaqeve të tokave të pakultivuara për çdo fshat. Rezultatet e verifikimit, për çdo pronar ose posedues të ligjshëm, pasqyrohen në një dokument, forma dhe përmbajtja e të cilit përcaktohen me udhëzim të ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Dokumenti i verifikimit i paraqitet kryetarit të komunës ose bashkisë brenda datës 30 shtator të çdo viti. Kryetari i komunës ose bashkisë publikon, brenda datës 15 tetor të çdo viti, listën emërore të pronarëve ose poseduesve të ligjshëm me sipërfaqet përkatëse të tokave, të evidentuara si të pakultivuara në çdo fshat. Kjo listë afishohet, për një afat prej 45 ditësh, në qendër të komunës dhe në fshatin përkatës. Brenda kësaj periudhe, pronarët, emrat e të cilëve përfshihen në listë, kanë të drejtë të paraqesin ankesë, me shkrim, pranë kryetarit të komunës ose bashkisë, për saktësinë e evidentimit të kryer nga komisioni. Kryetari i komunës ose bashkisë shqyrton ankesat e paraqitura, rast pas rasti, brenda 5 ditëve nga marrja e ankesës.
Procedurat për rishpërndarjen
Kryetari i komunës ose bashkisë përgatit dokumentacionin e evidentimit të tokave të pakultivuara dhe ia paraqet këshillit të komunës ose bashkisë për shqyrtim dhe vendimmarrje për klasifikimin e tyre si të tilla. Shqyrtimi bëhet brenda 15 janarit të vitit pasardhës. Vendimi i këshillit të komunës ose bashkisë përbën njëkohësisht autorizim për kryetarin e komunës ose bashkisë për tua dhënë me qira këto toka subjekteve kërkuese. Për të rimarrë tokën pronari i ligjshëm i sipërfaqeve të tokave të pakultivuara, të përfshira në vendim, mund ti paraqesë një kërkesë me shkrim komunës ose bashkisë, brenda 31 janarit, në të cilën merr përsipër detyrimin për të kultivuar këtë tokë, duke i bashkëlidhur kërkesës një plan për përdorimin e tokës, përfshirë kulturën bujqësore, sipërfaqen dhe afatet e kultivimit. Pronari ose poseduesi i ligjshëm i tokës nuk ka drejtë të bëjë kërkesë për kultivimin e kësaj toke deri në përfundim të afatit të përcaktuar në kontratën përkatëse të qirasë.
Ornela Manjani
Last Updated on E Hene, 05 Prill 2010 18:11