E Diel, 1 Nëntor 2026

ERE: U rritën humbjet, për importin 191 milionë euro

Kreu i ERE Sokol Ramadani

Raporti i Entit Rregullator të Energjisë. Prodhimi 4.2 miliardë KWh

Viti 2011 ka qenë një vit me kontraste, nëse krahasimin e bëjmë me vitin 2010. Raporti i Entit Rregullator të Energjisë reflekton një kërkesë të rritur për konsum të energjisë, një eksport minimal, një situatë hidrike të vështirë dhe një import shumë të lartë. Shqipëria, në ndryshim nga viti 2010, kaloi sërish në një importues neto të energjisë, por viti 2011 nuk e favorizoi aspak, pasi çmimet në tregje u rritën me mbi 30 për qind. Kështu, KESH do të eksportonte energji në janar të 2011-s nga i cili do të merren 13 milionë dollarë dhe do të importonte energji përgjatë gjithë vitit, çka i ka kushtuar plot 190 milionë euro. Mbas vitit 2008, për shkak të uljes së kërkesës për energji elektrike si pasojë e krizës ekonomike botërore, çmimet e importit kanë qenë në rënie. Kjo tendencë ndalet në vitin 2011, në të cilin çmimi mestar i importit pësoi një rritje prej 32.94 për qind krahasuar me vitin 2010. Viti 2011 shënon vlerën më të madhe të shpenzimeve për blerje energjie elektrike dhe kjo vjen kryesisht falë sasive të konsiderueshme të importuara, thuhet në raportin e ERE. Një tjetër vlerësim që bën raporti, është edhe ai lidhur me eficiencën me të cilën kanë punuar kompanitë. ERE vlerëson se CEZ Shpërndarje nuk ka ulur humbjet sipas marrëveshjes. Niveli i humbjeve 30.9 për qind të raportuara nga CEZ Shpërndarje çon në konkluzionin që kompania nuk ka realizuar tragetin e humbjeve. Nisur nga llogaritjet e ERE për këtë tregues, duke marrë në konsideratë edhe humbjet e paraqitura nga kompania si dëm ekonomik dhe energji e pafaturuar, situata paraqitet akoma më pesimiste me nivelin e humbjeve 37.58 për qind, vlerëson ERE, duke ia faturuar këtë mungesë të eficiencës së CEZ menaxhimit cilësisht të pamjaftueshëm.

191 milione euro janë shpenzuar gjatë vitit 2011 për blerje të energjisë në tregje të huaja. Ndërkohë që është eksportuar vetëm në muajin janar dhe janë përfituar 13 milionë dollarë.

Raporti i ere
Prodhimi në vend gjatë 2011, 4 201 245 milionë kwh

Eksporti i kryer, vetëm në janar 13 milionë dollarë

Importi i kryer gjatë gjithë vitit, 191 milionë euro

CEZ duhet të ulte humbjet me 6 për qind, pra në 27.92 për qind

Niveli i humbjeve në fund të vitit 2011 ishte 30.9 për qind

Bashkë me dëmin ekonomik dhe energjinë e pafaturuar,
dëmi në 2011 arrinte 37.58 për qind të energjisë.

Prodhimi minimal gjatë 2011 ishte më 25 nëntor me 4 545 milionë kwh

Prodhimin kryesor të energjisë në vend e kryen kaskada e Drinit

TEC Vlora prodhoi gjatë 2011 59.611 milionë kwh

Aktualisht në prodhim janë 58 hidrocentrale private

Në vitin 2011 HEC-et private prodhuan 136.8 Gwh

NERTILA MAHO

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›