Fyle në Kosovë nis formalisht fizibilitetin për MSA-në me BE

Fyle dhe Thaçi pas konferencës për shtyp
Komisioneri europian takoi Jahjagën e Thaçin, kërkoi konsensus me fqinjët.
Në vizitën e tij të dytë në Kosovë, komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Stefan Fyle, u shpreh se është i lumtur që në mënyrë formale po shpall nisjen e studimit të fizibilitetit për marrëveshjen e stabilizim-asociimit. Fyle e ka quajtur këtë një hap shumë të rëndësishëm për marrëdhëniet mes BE-së dhe Kosovës. Gjatë takimit me Kryeministrin Hashim Thaçi, Fyle u shpreh se konsensusi mund ta çojë Kosovën drejt rrugës europiane. Komisioneri europian i Zgjerimit ka kërkuar tërthorazi nga Kosova më shumë fleksibilitet në lidhje me disa çështje me Serbinë. Unë e përkrah shumë Këshillin Kombëtar për Integrime Europiane dhe idenë e të punuarit me konsensus. Kosova mund të ketë progres drejt rrugës së saj në Europë, vetëm atëherë kur do të ketë konsensus mbi axhendën europiane për reforma të cilat duhet të çohen përpara. E njëjta gjë qëndron edhe me çështjet që kanë të bëjnë me fqinjësinë e mirë. Është esenciale për të ardhmen e Kosovës në marrëdhënie me Serbinë, tha Fyle. Kryeministri Thaçi ka pohuar se gjatë takimit ata kanë biseduar edhe për fqinjësinë e mirë të Kosovës me të gjitha vendet fqinje, për domosdoshmërinë e implementimit të të gjitha marrëveshjeve teknike mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë e natyrisht për rajonin, pra që Kosova të europianizohet sa më shpejt të jetë e mundur. Zyrtari i BE-së u takua edhe me Presidenten Atifete Jahjaga. Në konferencën e përbashkët për media me Presidenten, Fyle tha se nuk mund të japë një kohë të saktë se kur do ti jepet Kosovës udhërrëfyesi për vizat. Megjithatë, lançimin formal të studimit të fizibilitetit, ai e quajti si një hap përpara dhe periudhë të re të marrëdhënieve Kosovë-BE. Duke u përgjigjur në pyetjet se a është duke u bërë vetëm retorikë dhe jo punë konkrete për procesin integrues të Kosovës, Fyle tha se ndryshe është procesi aktual dhe ai i disa muajve më parë. Ndërsa Jahjaga tha se: Si Presidente e vendit do të ndërmarr çdo veprim, që shton efikasitetin e institucioneve në përshpejtimin e dinamikës për integrim në BE.
Deklaratat nga Maqedonia
Zëvendëskryeministri shqiptar në qeverinë maqedonase, Musa Xhaferri, tha dje se deklarata e tij e transmetuar në KTV është nxjerrë nga konteksti. Në deklaratë thuhej se Prishtina po nxit shqiptarët në Maqedoni. Por Xhaferri tha që ai është shprehur kështu: ka mundësi të vijnë edhe deklarata radikale lidhur me situatën në Maqedoni nga ndonjë subjekt në Kosovë. Ndërsa lidhur me sugjerimin e tij për klasën politike në Kosovë, që të merret me Veriun e vendit, Xhaferri e konfirmoi dhe tha se zgjidhja e çështjes së Veriut të Kosovës është vetëm në favor të stabilitetit të rajonit.Anulohet takimi
Takimi i paralajmëruar midis Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidentit serb, Boris Tadiç, nuk do të zhvillohet gjatë muajit qershor. Kabineti i Presidentit serb e ka përgënjeshtruar lajmin e njoftuar nga mediat kosovare. Përjashtohet çdo mundësi që presidenti Tadiç të takojë Thaçin, thuhet në njoftimin e Presidencës serbe. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pranuar pak ditë më parë se nuk është kundër çdo lloj takimi të kësaj natyre, që sipas tij shpreh reciprocitetin e nivelit të takimeve të shtetit të Kosovës me Serbinë.