Xhamia e re, myslimanët të pasigurt: Toka ka pronarë
Myslimanët ndihen të pasigurt për ndërtimin e xhamisë së re në kryeqytet nga Bashkia e Tiranës. Kjo pasiguri e tyre qëndron në çështjen e pazgjidhur të truallit, ku është parashikuar të ngrihet xhamia e re, objekt që sipas Komunitetit Mysliman nuk mund të ndërtohet pa u marrë leja e sheshit të ndërtimit dhe shpronësimi i truallit. Duke qenë se Komuniteti ka në pronësi vetëm një pjesë të truallit ku do të ndërtohet xhamia, vetëm 700 metra katrorë, kërkon që të bëhet shpronësimi për sipërfaqen e mbetur, e cila ka pronarë. Për të gjitha këto arsye, Këshilli i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë ka organizuar dje një mbledhje të jashtëzakonshme në ambientet e Medresesë së Tiranës, nga e cila ka dalë edhe një deklaratë për shtyp, në të cilën evidentohet jo vetëm qëndrimi për xhaminë e re, por edhe për çështjen e shumëpërfolur në vend që ka të bëjë me regjistrimin e popullsisë. “Këshilli i Përgjithshëm i KMSH ka mirëpritur nismën e vonuar për ndërtimin e xhamisë së re në Tiranë që në fillimin e saj, por në arritjen e këtij objektivi Këshilli i Përgjithshëm konstaton mjaft pasiguri, derisa nuk është zgjidhur leja e sheshit të ndërtimit dhe shpronësimi i sipërfaqes së truallit që nuk është në pronësi të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, si dhe paqartësi të tjera. Ne, nuk mund t’i drejtohemi Zotit, duke përvetësuar qoftë edhe një pëllëmbë toke të individit, e një institucioni tjetër vendor apo më lart se sa kaq, apo kushdo qoftë”, - ka deklaruar kryetari i Këshillit Kombëtar të Komunitetit Mysliman, Ylli Gura. Sipas tij, Komuniteti Mysliman ka pronë të tijën vetëm 700 metër katror në sipërfaqen e përcaktuar për ndërtimin e xhamisë, ndërkohë që pjesa tjetër është tokë e pronarëve. Sipas kryetarit të Këshillit të Komunitetit Mysliman, Ylli Gura, xhamia e re në kryeqytet mbetet një nevojë më se emergjente dhe një e drejtë e pakontestueshme, e padiskutueshme e besimtarëve myslimanë të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë. Sipas tij, vonesa në ndërtimin e xhamisë së re të Tiranës përbën një shqetësim jo vetëm për Komunitetin Mysliman, por është pjesë e shqetësimit të të gjithë qytetarëve. Qëndrimi i fundit i myslimanëve për ndërtimin e xhamisë së re pritet të sjellë debate edhe më të forta se ato të mëparshmet për këtë çështje, midis kreut të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama dhe ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi. Përtej këtij debati, që është më tepër politik sesa fetar, pasi bëhet fjalë për një betejë institucionesh për zgjedhjet lokale, deri më tani nuk dihet ende se cili nga pushtetet ai vendor apo ai qendror do të arrijë të plotësojë kërkesën e kahershme të myslimanëve për të pasur një xhami, që përmbush nevojat e tyre. Përsa i përket regjistrimit të popullsisë, Këshilli i Përgjithshëm i KMSH gjykon se regjistrimi i popullsisë mbi baza etnike dhe fetare nuk i shërben integritetit dhe stabilitetit social dhe politik në Shqipëri. Këtë qëndrim Komuniteti Mysliman i Shqipërisë e ka shprehur edhe në takimet e zhvilluara më herët. Për këtë arsye, Komuniteti Mysliman i bënë thirrje organeve kompetente që në formularin e regjistrimit të popullsisë të hiqen pikat e vetëdeklarimit të etnisë dhe fesë. Gjithashtu, Këshilli i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë vendosi të shpallë muajin prill muaj të vlerave profetike.
17 135 metër katrorë është menduar të jetë sipërfaqja totale e ndërtimit të xhamisë së re, që do të përfshijë brenda saj hapësira për të kryer të gjitha ritet që përmban kjo fe.
2 930 metra katrorë do të jetë trualli ku do të ndërtohet xhamia, sipërfaqe që do të arrijë t’u shërbejë mbi 2500 besimtarëve, sa është dhe kërkesa e bërë nga Komuniteti.
“Këshilli i Përgjithshëm i KMSH ka mirëpritur nismën e vonuar për ndërtimin e xhamisë së re në Tiranë që në fillimin e saj, por në arritjen e këtij objektivi Këshilli i Përgjithshëm konstaton mjaft pasiguri, derisa nuk është zgjidhur leja e sheshit të ndërtimit dhe shpronësimi i sipërfaqes së truallit që nuk është në pronësi të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, si dhe paqartësi të tjera. Ne, nuk mund t’i drejtohemi Zotit duke përvetësuar qoftë edhe një pëllëmbë toke të individit, të një institucioni tjetër vendor apo më lart sesa kaq, apo kushdo qoftë”.
Konkursi
Pesë studio në garë për projektin
Më 26 shkurt Bashkia e Tiranës prezantoi pesë studiot arkitekturore fituese për projektin e ndërtimit të xhamisë së re. Më konkretisht, pesë studiot nga 100 të përfshira në konkursin për ndërtimin e xhamisë së re dhe muzeut të bashkëjetesës fetare, që janë vlerësuar si më të përshtatshmet për të vazhduar garën në fazën II, janë: “Andreas Perea Ortega”, Madrid/ Spanjë; “Architecture Studio”, Paris/ Francë; “Big”, Kopenhagen/ Danimarkë; “Search”, Amsterdam/ Holandë; “Zaha Hadid Architects”, London/ UK.
Këto studio do të vazhdojnë garën në fazën e dytë, për t’i dhënë jetë një xhamie të re, e cila synon të jetë pjesë e koleksionit të veprave të rëndësishme të arkitekturës europiane bashkëkohore. Tashmë konkursi ndërkombëtar për “Projektimin e Xhamisë dhe Muzeut të Tiranës e Bashkëjetesës Fetare”, i shpallur nga Bashkia e Tiranës në datën 28 janar 2011, ka hyrë në fazën e tij të dytë, që është “Etapa e Projektimit”. Ky konkurs është organizuar në dy etapa. Faza e parë ishte një “Thirrje për Pjesëmarrje”, drejtuar gjithë arkitektëve vendës dhe ndërkombëtarë; ndërsa faza e dytë ishte “Etapa e Projektimit”, drejtuar 5 studiove të përzgjedhura në fund të fazës së parë.
Objekti do të ndërtohet mbrapa Pallatit të Kulturës
Xhamia e re parashikohet t’u shërbejë mbi 2500 besimtarëve
Xhamia e re, që parashikohet t’u shërbejë mbi 2500 besimtarëve, sipas projektit të Bashkisë së Tiranës do të ndërtohet në qendër të kryeqytetit, mbrapa Pallatit të Kulturës. Deri më tani forma që do të ketë xhamia e re është enigmë, pasi kjo do të përcaktohet nga arkitektët që do të fitojnë konkursin ndërkombëtar për ndërtimin e saj. Sipas projektit paraprak, xhamia është menduar të ndërtohet në një sipërfaqe prej 17 135 metër katrorë dhe do të përfshijë brenda saj hapësira për të kryer të gjitha ritet që përmban kjo fe, si dhe ambiente për të gjithë ata që duan të informohen mbi fenë islame. Xhamia e re e Tiranës, sipas të dhënave teknike, do të ketë lartësi të njëjtë me Pallatin e Kulturës. Minarja mund ta kalojë këtë lartësi maksimale, por duhet të mbetet më e ulët se minarja e Xhamisë së Et'hem Beut dhe se Kulla e Sahatit. Në veri dhe lindje të saj nuk do të ketë ndërtesa ngjitur, ndërsa në perëndim do të jetë një ndërtesë me të njëjtën lartësi. Në veri xhamia do të ketë përballë hotelin “Tirana International”. Në jug të xhamisë do të jenë një varg kullash me lartësi katër kate dhe kulla e parashikuar të ndërtohet në vendndodhjen aktuale të Teqesë së Helvetinjve. Xhamia e re do të ketë një sipërfaqe totale ndërtimi prej 17 135 m2 brenda një trualli prej 2930 m2 dhe arrin t’u shërbejë mbi 2500 besimtarëve. Janë 9 nivele, 4 tokësore dhe 5 nëntokësore, që janë të parapara në gjithë këtë hapësirë. Elementët kryesorë të xhamisë do të jenë holli i faljes, biblioteka, salla shumë funksionale, salla e mbledhjeve, mjediset e shërbimit dhe parkimi nëntokësor. Xhamia e re, si qendër e besimit, do të ketë një program të përbërë. Përveç elementëve bazë që ka një xhami tradicionale, ajo do të përmbajë elementë të tjerë në funksion të mësimit, nxënies dhe kërkimit. Në projektin e Bashkisë së Tiranës për xhaminë e re janë detajuar të gjithë elementët që do të ketë objekti i ri i kultit, që nga holli qendror i faljes e deri te parkimin nëntokësor.