E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-ushtarakët, emrat e 500 përfituesve sipas dikastereve

SHKRUAN: Jonida Tashi 21-03-2011 14:00

Instituti i Sigurimeve Shoqërore publikon emrat e të gjithë ish-ushtarakëve për të cilët ka përfunduar procesi i lidhjes së pensioneve të parakohshme. Megjithëse procesi i përllogaritjes dhe caktimit të pensioneve të parakohshme ka nisur që në fund të vitit të kaluar, deri më tani kanë përfituar vetëm 494 ish-ushtarakë, nga 1500 që është numri total i tyre për këtë kategori. Por, më konkretisht, në listat të publikuara dje nga ISSH janë evidentuar 41 emrat ish-ushtarakëve për të cilët është caktuar masa përfundimtare e pensionit të parakohshëm dhe rillogaritja e përfitimit deri në datën 11 mars. Në listën e dytë janë përfituesit e pensionit të parakohshëm për 38 ish-ushtarakë që e marrin për herë të parë këtë lloj përfitimi, për të cilët caktimi i pensioneve është përfunduar deri në datën 18 mars. Përpos publikimi të 78 përfituesve të rinj, ISSH ka rinxjerrë edhe emrat e 416 ish-ushtarakëve që u është lidhur përfitimi nga nisja e procesit deri aktualisht. Në total, numri i ushtarakëve përfitues nga ligji 10142, datë 15.5.2009 ka arritur në 494, ndërkohë që priten dokumentet nga ministritë e tjera për të vijuar me përllogaritjen e pensioneve për përfituesit e mbetur sipas kategorive. Sipas të dhënave të ISSH, deri në datën 28 janar 2011, numri i 213 përfituesve, ndarë sipas institucioneve, është: Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, 113; Garda e Republikës, 53; SHISH, 43; Drejtoria e Burgjeve,1; Ministria e Mbrojtjes, 1; Ministria e Rendit, 1; PMNZSH, 1. Megjithëse numri i përfituesve ka ardhur në progres rritjeje, sipas ish-ushtarakëve, ky proces po ecën me ritme të ngadalta, dhe për këtë ata fajësojnë institucionet përgjegjëse që nuk përcjellin në ISSH dy dokumentet kryesore që kërkohen, që janë vjetërsia në punën dhe paga referuese. Madje, vetëm pak ditë më parë, për këtë çështje ish-ushtarakët i janë drejtuar nëpërmjet një letre zyrtare edhe ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, nga i cili kanë kërkuar ndërhyrje për zgjidhjen e situatës. Arsyeja kryesore pse ish-ushtarakët fajësojnë kreun e Mbrojtjes për zvarritjen e procesit ka të bëjë me një urdhër që ministri Imami ka nxjerrë për këtë procedurë, duke kërkuar disa dokumente të tjera shtesë. “Qeveria ku ju bëni pjesë ka miratuar edhe VKM-të përkatëse dhe udhëzimin nr. 4, datë 04.02.2011 për zbatimin e ligjit në fjalë. Udhëzimi juaj i muajit shkurt 2011, jo vetëm nuk ka përshpejtuar zbatimin e ligjit, siç pretendohet në të, po ka shtuar sorollatjet e ushtarakëve për të gjetur dokumente të tjera veç atyre që përcakton udhëzimi i Sigurimeve Shoqërore”, - argumenton kreu i ushtarakëve në rezervë, Mehdi Pogaçi, në letrën dërguar Imamit. Sipas tij, këto dokumente, nga praktika e deri tanishme, nuk kanë për t’u gjetur kurrë, sepse repartet dhe njësitë përkatëse nuk ekzistojnë më, si dhe arkivat dhe komandat ekzistuese nuk i disponojnë ato të plota. Për më tepër, Mehdi Pogaçi i bën të ditur ministrit Imami se, nga takimet që kanë pasur me personat përgjegjës të Drejtorisë së Përkujdesjes në Ministrinë e Mbrojtjes, rezulton se edhe me dosjet që nuk kërkohen dokumente shtesë po punohet fare ngadalë, për të mos thënë aspak. Sipas kësaj ecurie, kreu i ushtarakëve në rezervë shprehet se do të nevojiten mbi 20 vjet për zbatimin praktik të këtij ligji. Në këto kushte, ish-ushtarakët kërkojnë: Së pari, angazhimin maksimal të ministrit të Mbrojtjes për shpejtimin e procesit të punës për zbatimin e ligjit nr. 10142, datë 15.05.2009, i ndryshuar dhe të aktit normativ. Së dyti, për të shmangur sorollatjet e lodhshme dhe jo frytdhënëse, sipas tyre, ushtarakët kërkojnë që dokumentet shtesë që u kërkohen përfituesve nga ky ligj të nxirren nga dosjet e pensioneve në ISSH dhe nga dosjet e kuadrit që janë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe komandat e forcave përkatëse në bashkëpunim të tyre me njëra-tjetrën. Kërkesa e tretë e ushtarakëve ka të bëjë me zgjerimin e grupit të punës që merret me përpunimin e dosjeve të ushtarakëve, për zbatimin e ligjit, duke marrë specialistë nga repartet ushtarake të Tiranës si dhe ushtarakë në lirim, në rezervë dhe në pension apo veteranë, të cilët kanë qenë specialistë në këtë fushë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›