E Shtunë, 31 Tetor 2026

ERE licence per operatore te rinj ne energji

Enti Rregullator i Energjisë ka licencuar së fundmi operatorë të rinj në fushën e energjisë, ndërkohë që disa nga hidrocentralet e vogla janë drejt fillimit të aktivitetit. Janë pesë kompani private vendase dhe të huaja të cilat kanë marrë sëfundmi licencën për aktivitetet e furnizuesve të kualifikuar të energjisë elektrike, për prodhimin e energjisë nga HEC-i i Trebishtës dhe nga ai “Qafëzezës”, si dhe për tregtimin e energjisë. Po ashtu Enti Rregullator i Energjisë ka vendosur gjithashtu të kualifikojë impiantet prodhuese nga hecet “Darsi 1”, “Darsi 2” dhe “Darsi 3” të një tjetër shoqërie private si burime të rinovueshme energjie. Ndërkohë që është licencuar një tjetër kompani në aktivitetin e tregtimit të energjisë elektrike, për një afat 30-vjeçar si dhe në aktivitetin e furnizuesit të kualifikuar të energjisë elektrike. Sipas të dhënave të Ministrisë së Energjitikës janë në fazë prodhimi 43 hidrocentrale, 12 prej të cilave të nënshkruara pas vitit 2007, të cilat tashmë kanë edhe detyrimin të paguajnë tarifën koncesionare ndaj shtetit. Ndërsa 40 HEC-e të tjera janë në fazë ndërtimi, shumica në fazën finale. Nga ana tjetër METE ka lidhur 15 kontrata koncesioni për ndërtimin e 61 hidrocentraleve, me vlerë investimi rreth 45 miliardë lekë dhe janë në proces negocimi edhe 14 kontrata koncesionare me vlerë investimi 38 miliardë lekë. Hidrocentrali i Ashtës, me një investim prej 170 milionë euro, nga kompanitë austriake EVN dhe Verbund, dhe me një fuqi të instaluar rreth 50 megavat ka përfunduar dhe do të nisë prodhimin gjatë shtatorit. Suksesi i kësaj sipërmarrjeje po inkurajon shumë investitorë të tjerë ndërkombëtarë për të investuar në Shqipëri. Gjithashtu janë në fazë ndërtimi hidrocentralet në kaskadën e lumit Devoll nga konsorciumi Starkraft- EVN, me një vlerë investimi prej 940 milionë eurosh. Sektori i energjisë ka rreth 70 për qind të hapësirave të pashfrytëzuara dhe tregu për shitjen e saj është i garantuar. Kjo i jep sektorit të energjisë një prioritet në zhvillimin e ekonomisë shqiptare dhe më atraktivin për investitorët e huaj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›