E Shtunë, 31 Tetor 2026

KESH, 60 mln euro më shumë nga vendimi i ERE për rritjen e çmimit

KESH është i vetmi operator në fushën e energjisë elektrike, për xhepat e të cilit Enti Rregullator i Energjisë u kujdes. Vendimi i djeshëm i ERE-s aprovoi kërkesën e KESH-it për rritjen e çmimit të energjisë. Sipas vendimit në fjalë, KESH do të shesë energjinë elektrike me 2. 84 lekë nga 1.48 që e shiste më parë. Rritja e përfituar është me 1.36 lekë, afërsisht sa dyfishi i çmimit aktual. Nga ndryshimi i çmimit, KESH pritet të arkëtojë rreth 60 milionë euro më shumë në rast se e furnizon CEZ me të njëjtën sasi energjie si edhe në 2011-ën. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) i propozoi Entit Rregullator të Energjisë, që për vitin 2012 të miratojë rritjen e tarifës për energjinë që i shitet CEZ-it në masën 239 për qind. Kështu, nga 1.48 lekë për kw/h që është tarifa aktuale, propozohet që gjatë vitit të ardhshëm të arrijë në 5.03 lekë për kw/h. Gjithashtu, KESH propozoi edhe rritje të çmimeve të prodhimit të energjisë nga 0.63 lekë që është aktualisht, në 0.90 lekë. Në relacionin drejtuar Entit Rregullator, KESH argumentonte se në tarifën e kërkuar për furnizimin e CEZ-it, rreth 90 për qind e zënë kostot për blerjen e energjisë, 6 për qind është kompensimi që ERE duhet t’i bëjë KESH-it për uljen e çmimit gjatë këtij viti dhe 4 për qind e zënë kostot e personelit. Nga vendimi i ERE-s, Operatori i Sistemit të Transmetimit përfitoi një rritje prej 0.5 lekësh. Kështu, OST do të transmetojë energjinë me 0.65 lekë nga 0.60 lekë që e shiste më parë. Në mbledhjen e djeshme, ERE miratoi gjithashtu edhe planin e investimeve në HEC-e dhe planin e investimeve për CEZ Shpërndarjen për periudhën 2012-2014. Investimet parashikohen në shifrat 2.104 mln lekë për HEC-et, Bistrica 1 dhe Bistrica 2. Kurse plani për investimet në CEZ Shpërndarje është 6.5 miliardë lekë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›