ESI:Kthimi i vizave me pasoja katastrofale

Themeluesit e organizatës joqeveritare Nisma Evropiane për Stabilitet (ESI) me seli në Bruksel, Gerald Knaus dhe Aleksandra Stiglmajer kanë vlerësuar se rritja e fluksit të madh të azilkërkuesve të rremë nga Ballkani në vendet e BE-së, është përgjegjësi e shteteve anëtare të BE-së.
Në një analizë të përbashkët për portalin e internetit “EU Observer” kanë vlerësuar se në rast se do të ndodh pezullimi i regjimit të vizave nga ana e BE-së, atëherë sipas tyre, ky vendim do të kishte pasoja katastrofale.
Dy analistët kanë shprehur shqetësimet për rritjen e numrit të azilkërkuesve nga Bosnja, ku në muajin korrik ka pasur 81 kërkesa vetëm në Belgjikë, ndërsa në muajin gusht janë shtuar mbi 2 mijë kërkesa për azil, gjë që ka shkaktuar shqetësimin dhe reagimin e Brukselit zyrtar.
Knaus dhe Stiglmajer kanë vlerësuar se BE po tenton që një pjesë të përgjegjësisë së saj t`ia hedhë shteteve ballkanike, duke kërkuar nga ato që të aplikojnë kontrolle precize në kufi dhe të mos lejojnë qytetarët që kanë shumë pak para të shkojnë drejt vendeve të BE-së.
Dy autorët kërkojnë që vendet e BE-së të shkurtojnë afatin e shqyrtimit të kërkesave të azilkërkuesve nga disa muaj në disa ditë, dhe se ky shkurtim ka pasur sukses në vendet që tani nuk kanë probleme me azilkërkuesit.