E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX - një reputacion në rrënim

Kur para disa kohësh pata intervistuar numrin dy të misionit EULEX, z. Roy Reeve, në mënyrë të vazhdueshme ai kërkonte: "Ju lutem mos na krahasoni me UNMIK-un, ne jemi mision tjetër". Krahasimi me misionin paraardhës, pra atë të OKB-së, që erdhi duke e humbur reputacionin e tij në Kosovë, vinte krejt natyrshëm dhe për shumë arsye. Por më e rëndësishmja ishte se edhe ky mision, pra EULEX, me gjithë modalitetet, po i hidhte themelet e tij në Rezolutën 1244 të OKB-së, natyrisht jo për faj të tij, e as të Bashkimit Europian, misioni i së cilit është, por të bllokadës së Rusisë në Këshillin e Sigurimit.

Të gjithë e dimë se Rezoluta 1244, e cila e konsideron Kosovën si pjesë të RFJ-së, dhe atributet e së cilës pas shpërbërjes i ka marrë Serbia, do të duhej të ishte varrosur më 17 shkurt 2008, pas lindjes së shtetit të ri. Mirëpo kjo nuk ndodhi dhe "kufoma" e saj do të jetë nëpër këmbë edhe për disa kohë, sepse as SHBA e as ndonjë fuqi tjetër botërore nuk ka ndërmend të prishë rendin juridik ndërkombëtar për hatër të Kosovës. Dhe këtu fillon edhe odiseja e dhimbshme e një misioni, që pritej të ishte së paku disa herë më efikas se ai i UNMIK-ut, por që po përfundon si një mision i urryer nga të gjitha palët në konfliktin e përditshëm politik, e jo vetëm Kosovë-Serbi.

EULEX u shpall mision i padëshirueshëm për serbët, së bashku me propozimin e Presidentit Ahtisari për statusin e Kosovës. Protestat e përditshme të këtij komuniteti në Gracanicë dhe pjesën veriore të Mitrovicës u përpoqën ta komprometojnë reputacionin e tij, ende pa zbarkuar. Serbët, me hipokrizinë e zakonshme politike, filluan ta shikojnë UNMIK-un si shpëtimtarin e tyre, mision që e kishin bojkotuar dhe minuar që prej vendosjes së tij pas luftës në Kosovë. Mjafton të kujtohet ngritja e strukturave paralele.

Mirëpo, pavarësisht kundërshtimit të serbëve, EULEX e gjeti mënyrën për të hyrë në Kosovë. Një marrëveshje me Beogradin bëri që më 9 dhjetor të vitit të kaluar, rreth dhjetë muaj me vonesë, EULEX më në fund të zbarkonte dhe policët që endeshin kafeneve të Prishtinës apo ndonjë qyteti tjetër, veshën uniformat. Një fillim jo dhe aq i mbarë për një mision që do të duhej të ishte jopolitik, pra vetëm mision i policisë dhe i drejtësisë, sikurse është përcaktuar në statusin e tij. E për të ndrequr disi imazhin e dëmtuar të tij, që edhe parullat e "Vetëvendosjes" e kishin shpallur "non grata", EULEX ia nisi punës. Disa dënime të vogla në drejtësi, një gjysmë kontrolli te pikat doganore 1 dhe 31, të djegura nga serbët dy ditë pas shpalljes së pavarësisë, ndonjë show televiziv për të treguar muskujt… dhe asgjë më shumë. Ata që kishin shpresuar se ky mision do t‘i hynte krimit të organizuar drejt e në fole për ta shkatërruar, ata që e kishin parë si të vetmen shpresë se do t‘i çonte prapa hekurave ata zyrtarë e politikanë, të cilët i kanë kthyer institucionet në pashallëqe të e tyre ku vjedhin e grabisin paratë publike, u zhgënjyen. U zhgënjyen, sepse EULEX, një mision që punësoi me qindra ish-punonjës të UNMIK-ut, nuk ka mundur të bëjë asgjë më shumë se misioni i OKB-së. Dhe dielli i mirë duket me mëngjes, thotë populli. Nëse deri tani ka treguar paaftësi, vështirë se në të ardhmen, me një reputacion gjithnjë e më të kompromentuar, do të mund të bëjë diçka.

EULEX, me veprimet e tij të pamatura e deri diku arrogante, ditët e fundit i nxori qytetarët në rrugë, të cilët ulërinin me parulla shumë domethënëse. Numri i protestuesve ishte i vogël, por numri i atyre që kanë humbur besimin te ky mision është shumë më i madh. Nënshkrimi i një protokolli me Serbinë, duke anashkaluar institucionet e Kosovës, pa bashkëpunimin e të cilëve nuk mund ta zbatojë, është më shumë se një hap i gabuar. Është si t‘i hedhësh benzinë zjarrit. Interpretimet se nënshkrimi i protokollit nuk përbën shkelje të sovranitetit, në njëfarë mënyre mund të jenë të vërteta, pasi sado që dhemb, Kosova nuk është shtet që ushtron autoritetin e tij në çdo pjesë të territorit. Dhe megjithëse koncepti i sovranitetit është i lashtë që prej romakëve dhe ka ndryshuar vazhdimisht deri në ditët tona (shtetet e BE-së thonë se e kanë bartur sovranitetin e tyre në institucionet e përbashkëta), së paku që nga Traktati i Vesfalisë (1648) ku i ka rrënjët koncepti i sotëm, është pranuar se vetëm një autoritet ligjvënës suprem mund të quhet sovran.

Të gjithë e dimë se Kosova është një shtet me pavarësi të kushtëzuar. Nëse nuk do të ishte i tillë, as misioni EULEX dhe as ai i KFOR-it nuk do të ishin në Kosovë. Mirëpo, EULEX ka ardhur në Kosovë, së paku formalisht, me ftesë të institucioneve të saj, për të ndihmuar në vendosjen e rendit dhe ligjit. Kjo do të thotë se EULEX, edhe pse varet nga BE, nuk mund dhe nuk duhet të sfidojë autoritetin e Prishtinës, për më tepër në raport me Serbinë, e cila ka synim kryesor pikërisht këtë gjë: të bëjë nul pavarësinë, ta injorojë si fakt dhe ta degradojë ndërkombëtarisht.

Është interesant edhe fakti pse EULEX zgjodhi pikërisht Serbinë, si vendin e parë në rajon për të nënshkruar protokollin policor. Nëse EULEX do të kishte bërë të njëjtën gjë me Shqipërinë apo Maqedoninë, kjo zhurmë do të ishte eliminuar, ose së paku nuk do të ishte në përmasa të tilla. Dhe më i papranueshëm duket hartimi i dokumentit, ku Kosova nuk cilësohet si republikë. Dhe pikëpyetjet mbi rolin që po luan misioni i BE-së në Kosovë mund të vazhdojnë…

Ajo që pritet është se ai do ta përdorë autoritetin e tij, që i buron nga BE-ja, për të nënshkruar edhe protokolle të tjera, si në dogana dhe drejtësi. Pak për shkak të zgjedhjeve, sepse në Kosovë ende e "ha" pazari patriotizmin, e më shumë sepse EULEX po anashkalon institucionet e shtetit të pavarur, zhurma do të vazhdojë. Por një zgjidhje për të riparuar autoritetin e rrënuar do të ishte që këtë protokoll EULEX ta përdorte për të sjellë dhe dënuar në Kosovë kriminelët e luftës, të cilët shëtisin të lirë në Serbi, e shumë shpejt, pas liberalizimit të vizave, ata do të lëvizin po kaq të lirë edhe në vendet e Bashkimit Europian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›