E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kronika e 25 korrikut 2009

Kryeministri Berisha zhvilloi dje një vizitë në Kukës, ku inauguroi nisjen e punimeve për sistemimin dhe asfaltimin e rrugës Kukës-Shishtavec, 28 kilometra, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 4 miliardë lekë.

Kryeministri Berisha tha se ndërtimi i kësaj rrugës do të jetë i parametrave ndërkombëtare dhe do të lidhë jo vetëm Shishtavecin, por edhe komunat e tjera si Zapodi me Kukësin, me një infrastrukturë moderne. Rruga e re do të gjallërojë edhe turizmin në këtë zonë, e njohur veçanërisht për potencialet e saj të mëdha për zhvillimin e turizmit malor dhe skive.

"Kjo është një nga zonat me potencialin më të madh turistik në të gjithë Qarkun e Kukësit dhe në Shqipëri. Shqiptarët në tërë historinë e tyre, ndonëse kanë pasur male më shumë se të gjithë vendet e tjera, nuk e kanë zhvilluar skinë, ndërsa banorët e Shishtavecit janë skiatorë të lindur dhe jam i bindur se kjo rrugë do të bëjë që Shishtaveci të shndërrohet në një nga resortet më të mëdha të skive në Shqipëri", u shpreh Kryeministri në ceremoninë e inaugurimit.

Rruga e re, tha Kryeministri më tej, do të lehtësojë arritjen e tregjeve për fermerët e kësaj zone të njohur për prodhimin e patates, ndër më të mirat në vend, por edhe në Europë, të cilët, për shkak të mungesës së rrugës, kanë vështirësi për të gjetur tregun. Rruga e re do të bëjë që ky prodhim i mrekullueshëm i kësaj zone, jashtëzakonisht i veçantë në vlerat e tij, të kapë Tiranën, Prishtinën e të gjitha tregjet e vendit.

Kryeministri Berisha tha se edhe ky investim është një angazhim elektoral, duke theksuar se fitoren në zgjedhjet e 28 qershorit do ta festojë me inaugurimin e premtimeve elektorale, si mënyra më e mirë e fitores.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›