E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrit dhe ndalimi i puthjeve

Me synim mbylljen e rrugëve nga ku mund të avitet virusi i gripit të derrit, epidemiologët këshillojnë "ndalim" të përkohshëm të puthjeve. Kuptohet që, sugjerimet për të mos qëndruar në mjedise publike, për larje të duarve apo edhe për vendosje të shamisë gjatë teshtitjeve, nxjerrin në krye të masave evitimin e kontakteve përmes puthjeve.

Sa mirë do ishte! Do të mbyllej një nga "shtigjet" më të përshtatshme, ku viruset kalojnë krejt rehat nga buza në buzë, prej ca faqesh në të tjera. Do të ishte goditja më e mirë që mund t‘i bëhet transportit me "rentabilitet" të lartë, e nga ku bacilet kalojnë si mbi urë, me firo krejt të pallogaritshme. Por puthja nuk mund të shmanget, apo më keq fare, të ndalohet.

Rrallëkush mund të heqë dorë vullnetarisht nga nevoja për një puthje, të cilën duhet ta marrë prej atyre që do t‘ua japë fëmijëve që i ka në zemër, gruas, nënës apo dhe të dashurës, edhe në rreziqe që paraqiten në kohë pandemie. Këto janë më se normale, pa të cilat jeta nuk mund të imagjinohet, ndryshe njerëzimi do të rendte drejt një ftohtësie që u shkon për shtat vetëm makinave pa shpirt e ndjenjë.

Nuk është e vështirë ta konstatosh që, puthja në mjediset tona jo vetëm intime, por edhe publike, në mosha e gjini të ndryshme, ka përhapje shumë të madhe, aq sa të duket si e dalë jashtë "kontrollit". Shikon shpesh të rinj që përqafohen e puthen si ç‘të ishin, gra e vajza që nduken e ngalasen me "mall" të paparë, pleq që jargavisin fëmijët në faqet e njoma e të pastra. Puthje pa "doganë", më shumë se këtu, nuk mund të gjesh në asnjë mjedis tjetër, qoftë edhe të ngjashëm me tonin.

Pse puthemi kaq shumë, ndërkohë që edhe poteret s‘i kemi më të pakta?! Vërtet duhemi kaq shumë? A ka aq harmoni mes nesh apo ...?

Po të shtyhemi jo larg, por disa dekada më parë, në vitet tridhjetë, së paku vërejmë se puthjet nuk ishin të pranishme apo me këto përmasa. Burrat nuk janë puthur mes tyre. Përshëndosheshin me njëri-tjetrin, në distancë, por edhe kur rrokeshin, e bënin me krye dhe kaq. A je burrë si je or burrë!? Tungjatjeta burra! E këto me dorë në zemër dhe një përshëndetje të lehtë me krye.

Më të kursyera i gjejmë edhe në seksin tjetër. Kuptohet edhe të dashurit nuk e kishin ato mundësi që ta shprehnin ndjenjën e tyre, për shkak të mjedisit tejet fanatik që shtrihet edhe ditët e sotme në jo pak treva. Në vitet ‘40, u shfaq për herë të parë puthja burrë me burrë, sidomos në rrethet zyrtare, në takime të tilla me "miq" të rinj, jugosllavë, sovjetikë etj. Kjo nuk vinte aspak nga ndryshimi i sjelljes seksuale. Përkundrazi, dëshira për gra rritet jo vetëm në sasi, por edhe cilësi. Sllavët eksportuan, ose më mirë ishim ne që u "rrëmbyem" atyre një nga veset më të çuditshme: tri puthjet. Madje për habi, puthja erdhi shumë e fortë dhe fare pranë buzës së burrit tjetër. Edhe pse u ndryshuan miqtë dhe nga sllavët kaluam te kinezët e ftohtë, ky zakon jo vetëm nuk u zvetënua, por mori përhapje në breza me zgjerime të neveritshme.

Këto quhen anormalitete. Një puthje e pavend është si një damkë, pas së cilës gëlojnë miliona bacile, gjallojnë mijëra viruse, sëmundje e vuajtje; ajo mbart mbi vete hipokrizi, sipërfaqësi, djallëzi dhe intrigë. Janë sjellje aspak me shtrat kombëtar dhe kuptohet, në kontrast me qëndrimet plot dinjitet që manifestojnë perëndimorët.

Në vitet ‘80, një gazetar italian shëtiste në bulevardin e Tiranës dhe nuk e kuptonte pse të gjithë e shihnin me kureshti. Më pas, ai konstatoi se ishte i vetmi me mjekër në tërë atë turmë që rridhte në vajtje dhe ardhje plot monotoni. Dhe do të shkruante artikullin e famshëm: "Mjekra ime". "Kur vura re që të rinjtë shqiptarë, sa herë që takoheshin, putheshin mes tyre, iu gëzova shumë mjekrës", do të shkruante ai.

Në dokumentarë të kohës së shkuar, por edhe në kronikat e lajmeve të sotme, gjejmë me bollëk sekuenca ku miqtë e radhës përqafohen e puthen nga shqiptarët, jo vetëm popull, por kryesisht krerë, duke manifestuar një "dashuri" të paparë.

E shohim Hrushovin të bezdisur prej puthjeve, në siklet të dukshëm Çu En Lain, turma që i varen në qafë Bejkerit, si të ishte Mesia, Presidentit amerikan Bush, e kështu me radhë. Për shkak të kontakteve me turmat, gjithë drejtuesit shqiptarë, që nga Mbreti Zog e deri te të sotmit, e kanë për hise të përqafohen e puthen prej njerëzve e moshave nga më të ndryshme, si gjest përkushtimi që ata mund t‘u japin udhëheqësve të tyre, por edhe e vetmja që këta ua kanë afruar si kënaqësi shqiptarëve. Kjo "pandemi" historike po rrjedh edhe në kohët e sotme, e padyshim mund të rëndojë edhe më shumë situatën, kur nëpër këmbë na ngatërrohen viruse me emra të ndryshëm, pas të cilave qëndron si shtrigë sëmundja me dhëmbët e zbardhura. Përzierja e veseve orientale me zakonet e popujve sllavë, ka prurë deformime në sjelljet e shqiptarëve, shfytyrime të personalitetit që e paraqesin atë mjaft komik, butaforik, të dalë boje, pa dinjitet, të bezdisshëm në sytë e kulturës dhe edukatës perëndimore. Rasti i përhapjes së gripit të derrit është një shkak më shumë për të hequr dorë nga veset që nuk tregojnë asgjë, për t‘u bërë më burrëror, më fisnikë, më njerëzorë, duke qëndruar larg shpërdorimeve të ndjenjave që u takojnë vetëm një pjesë të vogël afër jetës tënde.

Puthja me vend e mbron njeriun jo vetëm nga bacilet e viruset, por e ruan edhe nga ndukjet dhe përqafimet, pas të cilave qëndrojnë sëmundje, që vështirë se mund të kurohen nga koha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›