E Diel, 1 Nëntor 2026

EULEX: Bashkëpunim me Policinë e Kosovës për incidentin në Mitrovicë

PRISHTINË-EULEX-i po bashkëpunon ngushtë më Policinë e Kosovës (PK) për hetimin e incidentit e të shtënave me armë zjarri, që ndodhi mbrëmë në lagjen 'Kroi i Vitakut' në pjesën veriore të Mitrovicës, ku u vra një person dhe u plagosën dy të tjerë.

"Mbrëmjen e kaluar hetuesit e EULEX-it shkuan në vendin e krimit, dhe në bashkëpunim me zyrtarët e Policisë së Kosovës, filluan të intervistojnë dëshmitarët. Hetimi i përbashkët i EULEX-it dhe i Policisë së Kosovës është ende duke vazhduar me mbledhjen e provave materiale si dhe deklaratave të dëshmitarëve", bëhet e ditur në një komunikatë të EULEX.

EULEX-i u bën thirrje të gjithëve që të përmbahen nga reagimet e dhunshme dhe t'i lejojnë institucionet e sundimit të ligjit të kryejnë punën e tyre. "Kjo përfshin lirinë e lëvizjes për EULEX-in në mënyrë që të kryejë këtë dhe hetime të tjera në përputhje me mandatin që ka", përfundon komunikata.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›