E pafalshme, që në krye të Gjykatës Kushtetuese, të vazhdojë të qëndrojë një kryetar antikushtetues
Flasin ekspertët
Kreu i Shtetit vazhdon të mos japë asnjë prononcim për shkeljen e Kushtetutës, duke mos emëruar kryetarin e Gjykatës Kushtetuese. Ish-ministri i Drejtësisë, Kudret çela, shprehet se kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, qëndron në krye të detyrës në shkelje me Kushtetutën.
“Punimet e Kuvendit janë mbyllur dhe kjo përbën dhe një çështje që e zgjat më tej, e shton më tej qëndrimin në detyrë në mënyrë të paligjshme në një mënyrë që vjen ndesh me Kushtetutën të një kryetari ‘de jure’ e sipas Kushtetutës nuk është më kryetar i Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh ai.
Sipas përllogaritjeve kohore, kryetarit të Gjykatës Kushtetuese i ka përfunduar mandati që në datë 7 qershor ndërsa nuk ka asnjë sinjal nga presidenca për emërimin e kryetarit të ri.
Presidenti duhet të kishte filluar menjëherë procedurat e emërimit. Kryetarit aktual, i ka përfunduar mandati që afro 2 muaj më parë. Realisht, presidenti i Republikës, ka pasur kohën e mjaftueshme, për të emëruar kryetarin e ri ose për të riemëruar atë aktual, siç edhe e parashikon ligji organik. Por, e vërteta është se presidenti Topi, s’ka respektuar as njërën dhe as tjetrën. Arsyeja? Askush s’e ka të qartë, përveç njërit, Presidentit të Republikës, i cili deri më tani, s’ka dhënë as përgjigjen më të vogël, veç asaj se emërimi i kryetarit të ri, do bëhet pas pushimeve të nxehta të verës, të cilat me sa duket presidenti do t’i kalojë diku larg...
Sipas ish-ministrit të Drejtësisë, çela, Kreu i shtetit ka shkelur nenin 145 të Kushtetutës së Shqipërisë, ku parashikohet qartë se me mbarimin e mandatit, kryetari i Gjykatës Kushtetuese s’duhet të qëndrojë në detyrë dhe se duhet të emërohet kryetari i ri.
“Kryetari i Gjykatës Kushtetuese emërohet nga radhët e anëtarëve të saj, nga presidenti i Republikës, me pëlqimin e Kuvendit për një periudhë prej tre vjetësh. Nga vetë formulimi, natyra juridike e këtij paragrafi, që parashtrohet në nenin 145 te Kushtetutës, rezulton se ky formulim ka ne thelbin e vet karakterin shume imperativ. ç’ka do të thotë se me mbarimin e këtij afati kryetari s’mund të jetë më kryetar. Presidenti duhet që brenda numrit të anëtarëve që ka në Gjykatën Kushtetuese të emëronte një kryetar duke marrë dhe pëlqimin e Kuvendit”, tha më tej juristi Kudret çela.
Një tjetër çështje që duhet zgjidhet brenda Gjykatës Kushtetuese, krahas mos emërimit nga Kryetarit të saj, është edhe përfundimi i mandatit të katër anëtarëve të këtij trupi gjykues, të cilëve u ka mbaruar mandati dhe do qëndrojnë në atë post deri në emërimet e reja.