E Diel, 1 Nëntor 2026

EULEX, akuza kundër prokurorëve e gjyqtarëve të lartë në Kosovë

Prokuroria e EULEX-it ka ngritur aktakuzë në Gjykatën e Qarkut në Pejë kundër ish-prokurorit special të Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK) dhe ish-udhëheqësit të Task-Forcës kundër Korrupsionit, Nazmi Mustafi, si dhe disa personave të tjerë në sektorin e drejtësisë. Prokurori i EULEX-it e akuzoi Nazmi Mustafin për veprat penale shpërdorim të pozitës zyrtare dhe të autoritetit dhe posedim të paligjshëm të armëve. Sipas një njoftimi të EULEX-it, në mesin e dhjetë të akuzuarve përfshihen: ish-kryetari i Gjykatës Komunale të Prishtinës, katër ish- gjyqtarë të Gjykatës Komunale të Prishtinës, tre ish-gjyqtarë të Gjykatës së Qarkut, një avokat dhe një përfaqësues i një Ndërmarrjeje Shoqërore. Shtatë ish-gjyqtarët akuzohen për veprat penale shpërdorim të pozitës zyrtare dhe të autoritetit dhe për nxjerrjen e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme. Përfaqësuesi i Ndërmarrjes Shoqërore dhe avokati akuzohen për veprat penale të ndihmës për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe të autoritetit dhe për ndihmë në nxjerrjen e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, thuhet në njoftimin e EULEX-it. Të akuzuarit dyshohet se janë përfshirë në 15 lëndë civile që kanë të bëjnë me padi pronësore kundër Ndërmarrjes Shoqërore, të cilat ishin nën kompetencën e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›