Siri, betejë e ashpër për Alepon, Erdogan koordinohet me Obamën
Në Siri vazhdojnë luftime të ashpra mes rebelëve e qeveritarëve për të marrë në duar qytetin e dytë më të madh të vendit, Alepon. Tanket kanë hyrë në këtë qytet, por rebelët nuk e kanë reshtur luftën e tyre dhe janë zotuar se do ta marrin Alepon brenda pak ditëve. Qindra-mijëra sirianë janë larguar nga vendi për ti shpëtuar konfliktit. Ndërkohë, Presidenti amerikan, Barak Obama dhe Kryeministri turk, Rexhep Tayip Erdogan, kanë zhvilluar bisedë telefonike për të bashkërenduar përpjekjet në përshpejtimin e një tranzicioni politik në Siri. Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhet se tranzicioni do të përfshijë largimin e Presidentit sirian Bashar Al Asad dhe do tu përgjigjet kërkesave legjitime të popullit sirian. Sipas Kombeve të Bashkuara, mijëra njerëz janë larguar nga beteja më e keqe deri më tani. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, tha se një autokolonë që transportonte kreun e misionit vëzhgues të OKB-së në Siri, Babakar Gaj, u sulmua të dielën nga tanket e ushtrisë siriane.