Rritet papunësia, eurozona shënon rekordin e 17 viteve
Papunësia në eurozonë ka arritur një shifër rekord, pas vendimit të kompanive për të shkurtuar vendet e punës për shkak të krizës së borxhit dhe rënies ekonomike. Sipas një raporti të fundit në eurozonë, papunësia në 17 vendet e monedhës së përbashkët ka arritur në 11.2 për qind, një shifër rekord e paarritur më parë që në vitin 1995, kur nisën të regjistroheshin këto shifra. Edhe në Gjermani, ekonomia më e madhe e eurozonës, papunësia është rritur për muajin korrik nga 6.6 që ishte në qershor, në 6.8 për qind, sipas një tjetër raporti. Politikëbërësit europianë po përpiqen të luftojnë ndaj problemeve ekonomike që kanë detyruar pesë vende të zonës të kërkojnë ndihmë nga jashtë, kanë zhdukur besimin e investitorëve dhe kanë nxitur kompanitë të pakësojnë forcën e tyre të punës. Kreu i Bankës Qendrore Europiane, Mario Dragi, ka premtuar të bëjë gjithçka që duhet për të shpëtuar euron. Ekspertët besojnë se situata do të përkeqësohet. Kompanitë në përgjithësi janë nën një presion serioz për ti mbajtur forcat e tyre të punës sa më të shtrënguara, për të përballuar koston e tyre, ndërkohë që kërkesa për produkte ulet, konkurrenca dhe shqetësimi rriten, dhe ka parashikime të paqarta për rritjen ekonomike, tha për Bloomberg Hauard Arçer, kryeekonomisti europian në IHS Global Insight në Londër. Duket se ka një rrezik të vërtetë në shkallën e papunësisë në eurozonë dhe ajo mund të arrijë në 12 për qind në vitin 2013, shtoi ai.
Raporti i djeshëm tregoi se 17.8 milionë njerëz janë të papunë në eurozonë, 123 000 më shumë në krahasim me muajin e mëparshëm. Vendi që ka papunësinë më të lartë është Spanja me 24.8 për qind, ndërsa vendi i dytë me papunësinë më të madhe në eurozonë është Greqia, me 22.5 për qind. Papunësia e Portugalisë ishte 15.4 për qind, dhe e Irlandës 14.8 për qind. Ndërsa në Francë papunësia shënoi 10.1 për qind. Inflacioni ka pësuar rritje me 2.4 për qind dhe 1.6 për qind në dy tremujorët e parë këtë vit.
Pa plan
Liderët grekë nuk kanë arritur të finalizojnë qëllimin e tyre për sigurimin e 11.5 miliardë euro kursime për dy vitet e ardhshme. Ndërsa anëtarët e trojkës vazhdojnë presionin për masa të reja kursimi, tre liderët e partive që mbështesin qeverinë thanë se nuk do të pranojnë shkurtime të reja në paga e pensione.
Monti optimist
Kryeministri italian, Mario Monti, është shprehur optimist në lidhje me krizën e eurozonës dhe rritjen ekonomike të Italisë. Italia dhe vendet e tjera të Europës që janë prekur nga kriza, po afrohen drejt fundit të tunelit, tha ai pak para nisjes në Paris. Monti do të vizitojë Helsinkin nesër dhe Madridin të enjten. Monti i quajti shumë të rëndësishme vendimet e marra nga krerët e BE-së në fund të qershorit, në përpjekje për të frenuar krizën e borxheve.