Itali, Monti mbështet licensën bankare për MES

Kryeministri italian, Mario Monti, tha se fondit permanent ndihmues të Eurozonës do t`i jepet licensa bankare, e cila do t`ia rriste mundësitë për ta luftuar krizën e borxheve.
“Mendoj se kjo do të ndihmojë. Mendoj se kjo do të ndodhë në kohën e duhur”, tha Monti në pyetjen se a do të duhej t`i jepej licensa bankare Mekanizmit Evropian për Stabilitet.
Komentet e tij ai i bëri në një konferencë të përbashkët për media pas takimit me homologun finlandez, Jurki Katajnen.
Licensa bankare do t`ia mundësonte mekanizmit të Eurozonës të marrë hua nga Banka Qendrore Evropiane për ta trajtuar më mirë krizën e borxheve në BE.
Kostot e larta të huave që ka marrë Italia kanë rritur shqetësimet se ekonomisë së tretë më të madhe në BE do t`i nevojitet një pako e dytë ndihmëse financiare.