EULEX arrestohen këshilltarin e ministrit Bukoshi
Policia e EULEX ditën e djeshme ka kryer dy arrestime të bujshme, ku i arrestuari i parë ka qenë Ilir Tola, këshilltarin politik të ministrit të Shëndetësisë, Bujar Bukoshit. Tolaj ka qenë edhe Sekretar i Përhershëm në Ministrinë e Shëndetësisë në kohën kur
ministër ishte Alush Gashi. Burimet bëjnë me dije se ditën e djeshme EULEX ka bastisur zyrën e tij, ndërsa Tolaj është arrestuar si i dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Këtë arrestim e konfirmojnë edhe zyrtarë të misionit të EULEX përmes një komunikatë për media. Por, në njoftimin e EULEX nuk është bërë i ditur emri, duke publikuar kështu vetëm pozitën e personit të arrestuar. Arrestimin e ka kryer policia e EULEX dhe policët e Kosovës që janë pjesë e Task Forcës Anti-Korrupsion, në kontekst të një hetimi penal për shmangie tatimi. Lidhur me këtë rast janë kryer bastisje në tri lokacione në Prishtinë, përfshirë një zyrë në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë. Bastisjet janë autorizuar nga një gjyqtar i EULEX i procedurës paraprake. Hetimet janë duke u kryer nga Policia e EULEX-it nën mbikëqyrje të zyrës së Prokurorisë Speciale (PSRK-së)", thuhet në komunikatë. Ndërsa ministri Bukoshi ka pohuar se është njoftuar të martën rreth orës 09.30 nga Zyra e Prokurorisë Speciale, lidhur me arrestimin e këshilltarit të tij. Ai ka njoftuar se arrestimi është bërë për shkak të dyshimit për shmangie nga tatimi.
EULEX arreston një të dyshuar për krime lufte
Policia e misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit ka arrestuar në Prishtinë një person me dyshimin se ka kryer krime lufte në Kosovë në vitin 1999, në komunën e Lipjanit, 10 kilometra në jug të Prishtinës. Në një komunikatë të këtij misioni thuhet se arrestimi është bërë në lidhje me "rastin Bllaca", dhe se aksioni është kryer nën mbikëqyrjen e Zyrës së Prokurorisë së Posaçme në Kosovë. Në nëntor të vitit të kaluar, një person i identifikuar si Nazim Bllaca, ka deklaruar publikisht se gjatë viteve 1999-2003 ka shërbyer në radhët e Shërbimit Informativ të Kosovës dhe gjatë kësaj kohe ka vrarë një person dhe ka marrë pjesë në vrasje të tjera.Nazim Bllaca po mbahet në arrest shtëpiak, me vendim gjykatës dhe paraqitja e tij publike kishte ngjallur një valë reagimesh në Kosovë.
Thaçi: Imazhi i shtetit ndërtohet duke luftuar korrupsionin
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar për arrestimin e Ilir Tolajt, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë, Bujar Bukoshi, duke thënë se përgjegjësia është individuale e secilit. Kreu i ekzekutivit të vendit ka thënë se do të punojë maksimalisht me moton zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar kudo dhe ndaj kujto qoftë. "Objektivi im edhe në fjalimin drejtuar kombit para një muaji, është vendosmëria e plotë që të jemi në ballë të luftës ndaj korrupsionit, krimit të organizuar dhe ndaj gjitha dukurive negative. Në këtë drejtim nuk do të ketë asnjë kompromis", ka thënë Thaçi. Ai ka ripërsëritur se institucionet e Kosovës së bashku me e EULEX janë të përkushtuara në luftën kundër korrupsionit. Thaçi ka thënë se imazhi i shtetit të Kosovës ndërtohet duke e luftuar korrupsionin, prandaj sipas tij, po ndodhë lufta kundër korrupsionit. "Imazhi i shtetit të Kosovës, ndërtohet duke e luftuar korrupsionin, prandaj po ndodhë lufta kundër korrupsionit dhe nuk do të jetë e lehtë dhe nuk do të jetë e shkurtë. Do të jetë me vështirësi, e gjatë, por me sukses të plotë dhe për këtë i garantoj gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës", ka thënë Thaçi.
EULEX ka shfrytëzuar mandatin
Një Zëdhënësja e EULEX se në të dy arrestimet e kryera nga policia e EULEX, misioni ka shfrytëzuar mandatin e tij ekzekutiv. Zëdhënësja e EULEX, Karin Limdal tha gjithashtu se priten edhe veprime të tjera të EULEX në luftën kundër dukurive negative në Kosovë, meqë, sipas saj, janë duke u kryer edhe një numër hetimesh të tjera. Limdal tha se hetimet janë shtrirë edhe në veriun e Kosovës dhe, në veçanti, në rastin e dy incidenteve dhjetë ditë më parë. Ajo përjashtoi mundësinë e dërgimit të menjëhershëm të një njësiti të posaçëm policor në veri, megjithëse pranoi se po bëhen bisedime për krijimin dhe trajnimin e një njësiti të tillë që, sipas saj do të jetë shumëkombësh. Zëdhënësja e EULEX u bëri thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të mos e politizojnë çështjen e Gjykatës në veri të Mitrovicës, por të punojnë për gjetjen e një zgjidhjeje pragmatike për këtë problem.