Mozaiku i Muzeut Historik Kombëtar, një fasadë për publicitet
Mozaiku i Muzeut Historik Kombëtar me pamjen që të ofron sot shumë lehtë mund ta kuptosh se ai është kthyer në një fasadë për publicitet. Megjithëse flitet se po i nënshtrohet një restaurimi edhe pse kanë kaluar shumë kohë ai ende nuk ka nisur.
Të mësuar tashmë me këtë pamje, duket se kjo nuk po i bën më përshtypje atyre që merren me restaurimin e tij. Dje përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, por dhe të drejtorisë rajonale bënë një inspektim për të parë se deri ku kanë arritur punimet për restaurimin tij. Ecuria e punës në mozaikun e fasadës së Muzeut Historik Kombëtar, sipas drejtorisë rajonale të monumenteve është ende në fazën e diagnostifikimit nga rezulton se në qendër të mozaikut atje ku fillojnë figurat janë krijuar të çara dhe teserat kanë pësuar fraktura. Madje në disa pjesë të sipërfaqes është shpërbërë struktura mbajtëse dhe janë zbuluar zgavra metalike e hekurt. U bënë kaq kohë që fasada e tij është e mbuluar me imazh të kompanive të ndryshme si ajo celulare Vodafon apo televizioni Ora News, të cilët në rastin më të mirë këtë po e shfrytëzojnë dhe për një publicitet. Mozaiku i shtrirë në 440 m2, është mbuluar dhe në hyrjen e qendrore të Muzeu Historik Kombëtar është ngritur skela dhe rrjeta që fsheh mozaikun, ku deri tani biznese të ndryshme këtë gjë po e shfrytëzojnë më së miri për publicitet, por duket se kjo gjë u shërben dhe atyre që janë përgjegjës për këtë projekt restaurues. Drejtori i DRKK-së Arbër Kadia dje gjatë këtij inspektimi i pyetur se kur do të mbarojnë punimet ai pohon se kjo nuk ka një datë të përcaktuar. Mozaiku është në një gjendje të dëmtuar, gjitha materiali për sa i përket studimit deri tani është për këto 2 muajt e fundit, por që do të vazhdojë edhe në të ardhmen, sepse problematika që ky mozaik ka shfaqur vazhdon të na befasojë. Janë rreth 500 m2 mozaik, por gjithsesi ky është një proces i gjatë restaurimi, i cili kërkon kohën e vet, pohon Kadia. Në një situatë të tillë këto punime që po kryhen në këtë mozaik, ndoshta qëllimisht nuk mund të mbyllen as për vitin tjetër dhe sigurisht që bëhet për interesa reklame. Nga ana tjetër të habit fakti se dhe nga institucioni përgjegjës që në këtë rast është Ministria e Kulturës, kjo gjë nuk e shqetëson aspak. Të mjaftuar vetëm me fjalë të bukura, të cilat tashmë dëgjohen pothuajse në çdo projekt që ka dhe përgjegjësi ky institucion, nuk u fol asgjë për atë pamje që ai ofron sot, ku edhe pse kanë kaluar shumë kohë sërish është në fazën diagnostikuese. Në raportin që sjell MTKRS thuhet: Theksojmë se aktualisht puna është në fazën përfundimtare të dokumentimit, studimit dhe të sondazheve, duke marrë parasysh përmasat e veprës, vendndodhjen dhe rëndësinë e saj, por duke qenë dhe një nga veprat kryesore dëshmi e një periudhe të caktuar historike. Gjithashtu nevojitet edhe asistenca e specialistëve vendas apo të huaj, të pajisur me njohuritë e domosdoshme, por gjithashtu jemi në kontakt të vazhdueshëm me disa nga autorët e kësaj vepre, me qëllim gjetjen dhe zgjidhjeve sa më adekuate. Në të gjithë raportin që ka sjellë MTKRS nuk flitet aspak për afatin përfundimit të punimeve për këtë projekt, i cili ka dy muaj që ka nisur, ku dje u inspektua dhe nga zëvendësministrja Suzana Turku. Një demagogji fjalësh që përdoren rëndom tashmë duhet kuptuar se duhet të flitet për gjëra konkrete, ku të gjithë prisnin të dinin diçka më shumë rreth përfundimit të punimeve. Kjo vepër është ndërtuar rreth 30 vjet më parë dhe sigurisht që vetë koha dhe të gjithë kushtet atmosferike e kanë dëmtuar këtë mozaik, e cila mbart një histori që ka ngjallur jo pak debate. Ky projekt është një rast i mrekullueshëm që pas 30 viteve krijohet mundësia për të studiuar të gjitha dëmtimet që ka pësuar ky mozaik, por kur ai kthehet për qëllime biznesi atëherë humb vlerat si projekt restaurues, pasi nuk shërben për këtë qëllim, por për publicitet. Ndërkaq që dy vjet më parë kur u hodh ideja për heqjen e mozaikut, për arsye të ngarkesës ideologjike që ai mbart, u shkaktuan jo pak debate në qarqet e studiuesve dhe historianëve.
Histori
Mozaiku është realizuar në vitin 1981, vit i inaugurimit të Muzeut Historik Kombëtar. Autorë janë Vilson Kilica, Josif Droboniku, Agim Nebiu, Anastas Kostandini dhe Aleksandër Filipi. Qysh prej fillimit deri më sot mozaiku nuk ka pasur asnjë ndërhyrje restauruese. Muzeu Historik Kombëtar ka në fondin e tij 3600 objekte të trashëgimisë kulturore shqiptare, pjesa më interesante e të cilave u përkasin periudhave që nga Paleolititi deri në Antikitetin e vonë (shek. IV e.s); këto janë ekspozuar brenda Pavionit të Arkeologjisë, që numëron në vetvete mbi 400 objekte.
Nga Julia Vrapi