E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX arreston ish komandantin e UÇK-së, Sabit Geci

Policia e EULEX-it ka arrestuar të enjten pasdite ish Komandantin e Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, Sabit Geci. Arrestimi i Gecit është bërë në shtëpinë e tij, në lagjen “Pejton” të Prishtinës, në një aksion ku kanë marrë pjesë forca të shumta të policisë së EULEX-it, të cilat kanë bastisur edhe shtëpinë e tij. Pas përfundimit të aksionit, EULEX-i ka konfirmuar se ka arrestuar një qytetar të Kosovës si të dyshuar për krime lufte, por pa përmendur emrin e tij.

“Sot në Prishtinë Departamenti Ekzekutiv i Policisë së EULEX-it, në bazë të urdhërit të Prokurorisë Speciale, ka kryer një bastisje në një shtëpi dhe e ka arrestuar një mashkull të dyshuar për krime lufte, të cilat supozohet se janë kryer midis muajit prill dhe qershor të vitit 1999”, thuhet në komunikatën e EULEX-it.

Menjëherë pas arrestimit të Gecit ka reaguar Shoqata e Veteranëve të Luftës së UçK-së, e cila ka kërkuar nga EULEX-i lirimin e menjëhershëm të Sabit Gecit dhe ndërprerjen e “represionit që po kryhet ndaj veteranëve të luftës së UçK-së”.

“Ky mision lë të lirë kriminelët që morrën pjesë në terrorin dhe genocidin e organizuar në Kosovë nga shteti serb, lë të lirë personat që haptazi shprehen se kanë marrë pjesë në vrasjen e komandantëve të UçK-së dhe që fshihen nën petkun e deputetit dhe sikur të mos mjaftonte kjo, krimi i organizuar dhe kontrabanda bëhet nga vet pjesëtarët e EULEX-it, siç ishte rasti i policëve rumunë. Ne kërkojmë që Sabit Geci të lirohet menjëherë dhe të ndërpritet ky represion ndaj veteranëve të luftës së UçK-së. Në ditët në vijim ne do të shqyrtojmë masat, që këtyre ofendimeve në formë spektaklesh, tu përgjigjemi me ashpërsi”, thuhet në reagimin e kësaj shoqate.

Bul Salihu < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›