EULEX cel hetimet serbet e Veriut ankohen ne OKB

Policia e EULEX’it në bashkëpunim me atë të Kosovës ka hapur hetimet për gjashtë raste, ndaj individëve, në lidhje me ngjarjet që kanë ndodhur në veri të vendit.
Në mesin e tyre është edhe rasti i vrasjes së policit Enver Zymeri. Edhe pse zyrtarisht ky mision nuk ka dhënë detaje nëpërmjet një komunikate për media, EULEX-i ka bërë të ditur se në përputhje me legjislacionin relevant ka nisur hetimet në tri incidente të ndryshme kriminale që kane ndodhur më 26 korrik në veri të Kosovës.Ato kanë të bëjnë me vrasjen e një polici të Kosovë në fshatin Zupç afër Zubin Potokut, tentim-vrasjen e zyrtarëve policorë të Kosovë me armë zjarri afër Zubin Potokut dhe shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm me një mjet shpërthyer të hedhur ndaj një automjeti të Policisë së Kosovë afër Mitrovicës, ku është plagosur një zyrtar i Policisë së Kosovës.
Hetimet, sipas komunikatës për media të misionit, po kryhen nga Task Forca e Mitrovicës, që përfshin prokurorët nga Gjykata e Qarkut e Mitrovicës dhe Policia e EULEX-it.
Ndërkohë Kryetarët e komunave paralele në Veri i kanë dërguar një letër Sekretarit të OKB-së, Ban Ki Moon, nga i cili kërkojnë të aprovojë mandatin që i është besuar nga Këshilli i KB-së, dhe të parandalojë përdorimin ilegal të forcës dhe aksionet ushtarake ndaj civilëve në veri të Kosovës.
Në këtë letër përshkruhet edhe shqetësimi i banorëve serbë në Veri, se veprime dhe aksione të tilla do të vazhdohen sërish në një të ardhme të afërt, për çka dëshmon informata se sipas tyre KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës do të zbatojnë aksione, të cilat do të kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin e qytetarëve në Veri, e ndoshta edhe të ushtarëve të KFOR-it dhe pjesëtarëve të EULEX-it.
“Kjo është bazuar në deklaratën e dhënë dje për media nga ana e komandantit të KFOR-it, Erhard Buhler, ku thuhet se ‘do të rreshtojë të gjithë ushtarët e KFOR-it, EULEX-it dhe policët shqiptarë në veri të Kosovës’. Ndaj, kërkojmë nga ju të ushtroni mandatin tuaj që ju është besuar dhe të informoni Këshillin e Sigurimit, si dhe Kuvendin, në mënyrë që të parandalohet operacioni i cili mund të ketë pasoja katastrofale”, thuhet mes të tjerash në letër.
Kjo letër, përveç Sekretarit të Përgjithshëm të KB-së, Ban Ki Moon, është dërguar edhe në adresë të shefit të UNMIK-ut në Kosovë, Farid Zarif, shefit të EULEX-it, Xavier de Marnack shefit të OSBE-së, Verner Almhofer, komandantit të KFOR-it, Erhard Buhler, si dhe përfaqësuesit rajonal të UNMIK-ut në Mitrovicë, Anila Vasisht.
Shefi i diplomacisë gjermane Guido Vestervelle, i shoqëruar nga komandanti i KFOR-it, Erhard Buhler, ka vizituar të enjten edhe pikën kufitare në Jarinje. Vestervele ka arritur në Jarinje me helikopter. Që para arritjes së ministrit gjerman, ushtarët amerikanë kanë rritur nivelin e sigurisë në shkallën më të lartë. Ndërsa gazetarët e kanë përcjellë këtë vizitë nga një distancë prej 200 metrash.