E Diel, 1 Nëntor 2026

EULEX drejton hetimet për tragjedinë në “Tisa”

PRISHTINE- Një prokuror i EULEX-it dhe dy policë hetues kosovarë do të udhëtojnë për në Hungari, për të hetuar rastin e mbytjes së tre shtetasve kosovarë në lumin Tisa. Hetimet do të bëhen në kuadër të luftës kundër trafikimit të qënieve njerëzore.
Policia e Kosovës konfirmon se do të dërgojë shumë shpejt në Hungari dy policë hetues, kurse një prokuror rasti, i cili është caktuar nga EULEX-i, pritet të vendosë kontaktet me autoritetet policore të Serbisë dhe ato të Hungarisë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, thotë se Policia e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë marrë përgjigje pozitive nga autoritetet hungareze për dërgimin e një ekipi hetuesish nga Kosova.
“Fillimisht parashihet që të nisen dy zyrtarë policorë hetues nga shtylla e hetimeve të Policisë së Kosovës dhe një prokuror i rastit. Udhëtimi i tyre pritet të bëhet shumë shpejt, në një kohë sa më të shpejtë të mundshme”, tha Kelani ndërsa shtoi se policia po zhvillon hetimin e rastit edhe brenda Kosovës, në përpjekje të kapjes së personave të dyshuar për këtë rast.

Një zëdhënësi i EULEX-it ka konfirmuar caktimin e prokurorit ndërkombëtar të EULEX-it për këtë rast.
(e.n/rel/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›