E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedia në lumin Tisa. Sejdiu mesazh ngushëllimi familjeve

PRISHTINE-  Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu shprehu keqardhjen e tij të thellë dhe u shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të viktimave që humbën jetën në lumin Tisa.

“Institucionet e Republikës së Kosovës janë në kontakt të vazhdueshëm me institucionet relevante për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, me shpresë se personat e tjerë që udhëtonin me tri viktimat, tashmë të konfirmuara, të jenë gjallë”, thekson presidenti Sejdiu.

“Jemi pranë familjeve të viktimave në këto çaste pikëllimi”, shton ai.

Policia serbe dhe ajo hungareze gjeti trupat e pajetë të tre personave të mbytur në lumin ndërmjet dy vendeve ndërkohë vazhdojnë kërkimet për gjetjen e personave të tjerë të zhdukur.
Mediat informojnë se më shumë se 19 emigrantë nga Kosova dyshohet se kanë humbur jetën javën e kaluar, kur varka e tyre u përmbys në ujërat e Lumit Tisa ndërsa përpiqeshin të kalonin ilegalisht nga Serbia për në Hungari.
Një burrë dhe dy fëmijët e tij u gjetën të gjallë javën e kaluar pranë lumit Tisa, ndërkohë policia e Kosovës ka ndërmarrë një hetim për zbulimin dhe arrestimin e organizatorëve të këtij udhëtimi tragjik.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›