E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ringjallja e shiitëve në Bejrut

Një lagje e frekuentuar shiite në jug të Bejrutit është ringjallur, pas shkatërrimeve të shkaktuara nga Izraeli, gjatë luftimeve në vitin 2006, simbol ky i aftësive për ripërtëritje të këtij komuniteti, në kohën kur patroni politik i komunitetit shiit, organizata Hezbollah, po kërkon një zë më të fuqishëm në radhët e qeverisë së Libanit.

Kjo lagje, e njohur me emrin Dahiya, që në gjuhën arabe do të thotë paralarje, është qendër e Hezbollahut dhe është sulmuar ashpër nga ana e forcave izraelite, gjatë luftës së Izraelit kundër militantëve shiitë, para tri viteve. Bombardimet bënë rrafsh me tokë selinë e Hezbollahut, si dhe disa vendbanime tjera në këtë lagje.

Tani, me dhjetëra ndërtesa të reja apo të riparuara janë ngritur mbi gërmadhat e ndërtesave që ishin shkatërruar, si rezultat i programit për rindërtim, të drejtuar nga Hezbollahu, i cili për çdo vit merr ndihma me vlerë prej disa miliona dollarë nga ana e Iranit.

Çmimet e patundshmërive kanë shënuar ngritje të vazhdueshme. Rrugët e lagjes janë të mbushura përplot me automjete, ndërsa pjesëtarë të uniformuar të Hezbollahut e rregullojnë trafikun. Tregtia po lulëzon, ndërsa restorantet janë të mbushura përplot. Dahiya do të jetë edhe më e bukur se më herët, është mbishkrimi në një bilbord, i cili gjendet afër një vendndërtimi.

Përveç lidhjeve të veta me Hezbollahun, Dahiya është një burim i krenarisë për shiitët në Liban. Për ta, kjo lagje shërben si shembull për atë se si komuniteti ka arritur të tejkalojë vitet e tëra të diskriminimit, nga ana e vendimmarrësve tradicionalë në vend të krishterëve dhe sunitëve, për tu etabluar si një forcë e fuqishme politike.

Me plot kuptimin e fjalës, Dahiyah ka afruar shiitët në qendrën e pushtetit: kjo lagje u ngrit pothuajse nga hiqi para tri dekadave, për tu shndërruar në një rajon me popullatë të dendur, me apartamente dhe shtëpi të reja për rreth 700 mijë shiitë në jug të Bejrutit, historikisht një qytet me popullatë shumicë të krishtere dhe sunite dhe me një prani të vogël të shiitëve.

Në Bejrut, njerëzit janë arrogantë dhe mendojnë se janë një botë në vete, thotë Nagat Gradah, një punëtorë në një dyqan, i cili edhe si shumë banorë tjerë ka migruar nga jugu shiit i Libanit. Por Dahiyah është një vend i veçantë.

Ringjallja e Dahiyas po ndodh në momentin, kur Hezbollahu po synon të forcojë kredencialet e veta si fuqi politike. Ka tashmë disa muaj që kjo lëvizje është duke zhvilluar negociata me partitë properëndimore sunite, për krijimin e qeverisë së re, në të cilën Hezbollahu dhe aleatët e vet do të kenë një rol të konsiderueshëm. Megjithatë, negociatat janë bllokuar, për shkak të grindjes për atë se kush do të mbulojë cilin funksion, grindje kjo e nxitur nga dyshimi i sunitëve properëndimorë se Hezbollahu në Liban po tenton të imponojë agjendat e Sirisë dhe të Iranit.

Hezbollahu mbështetët fuqishëm nga Siria dhe Irani dhe ka një krah të fuqishëm të armatosur. Por kjo lëvizje drejton edhe një rrjet të mirëqenies sociale dhe është forca kryesore politike e shiitëve në Liban, të cilët përbëjnë rreth një te tretën e popullatës në këtë shtet me 4 milionë banorë.

Vetë Dahiyah mund të jetë një shenjë se fuqia e shiitëve nuk është domosdo një paralajmërim famëkeq për iranizimin e vendit, siç frikësohen kundërshtarët e Hezbollahut.
Përkundër kontrollit në Dahiyah, Hezbollahu nuk ka tentuar të imponojë zbatimin e ligjit islamik.

Nëpër rrugët e kësaj lagje mund të shihen femra, me veshje perëndimore. Këtu në Dahiyah, ne kemi arritur që në të njëjtin vend të gërshetojmë rezistencën, lirinë dhe modën, thotë Hussein Al Zein, i cili është pronar i një butiku për femra. Në Dahiyah ne kemi liri, por ajo ka kufijtë e saj, shtoi ai.

Pjesa më e madhe e femrave bartin publikisht shaminë tradicionale. Nuk lejohet as shitja e pijeve alkoolike. Hanein Estiateh, një studente, thotë se nuk e ka problem që të dal me veshje perëndimore në rrugët e Dahiyas. Do të mbulohem pas martesës, thotë kjo 18-vjeçare.

Vetë Bejruti është një qytet, i ndarë mes lagjeve sunite dhe të krishterë, me shumë pak lagje të përziera. Gjatë luftës në vitin 2006, Izraeli në pjesën më të madhe ka sulmuar Dahiyan dhe rajonet shiite në lindje dhe jug të vendit, duke ju shmangur në pjesën më të madhe lagjeve sunite dhe të krishterë. (Reuters)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›