E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX duhet të forcojë prezencën në veri

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi priti një delegacion të Këshillit të Bashkimit Evropian, që kryesohej nga Jonas Jonsson, shef i Zyrës së sekretariatit të përgjithshëm të këtij këshilli, me të cilin ndër të tjera ka biseduar për Strategjinë gjithëpërfshirëse për veriun dhe roli i Bashkimit Evropian në kuadër të zbatimit të kësaj strategjie. Zëvendëskryeministri

Kuçi tha se kjo strategji synon që të integrojë këtë pjesë të Kosovës, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e mundshme demokratike për vënien e rendit dhe ligjit në këtë pjesë të Kosovës. Në këtë drejtim, përkrahja që Bashkimi Evropian mund ti jepte implementimit të kësaj strategjie, nëpërmjet EULEX-, është esenciale në krijimin e besimit tek të gjithë qytetarët Kosovës, u shpreh ai. Strategjia gjithëpërfshirëse për veriun, sipas Kuçit, nuk nënkupton asgjë më shumë se strategji për demokratizimin e vendit, forcimin e rendit dhe ligjit në çdo pjesë të territorit të Kosovës, përfshirë këtu edhe veriun e vendit. Nga ana e tij, Jonsson theksoi se për shkak të mungesës së plotë të unitetit të Brukselit zyrtar, Bashkimi Evropian nuk mund të jap qëndrim të saktë lidhur me këtë strategji. Megjithatë, siç thuhet në një komunikatë të Zyrës për informim të Kryeministrisë, të pranishmit ranë dakord se EULEX duhet të forcojë prezencën në veri dhe duhet të krijojë ambient të përshtatshëm për normalizimin e situatës, nëpërmjet rifunksionalizimit të gjykatës, kthimit të pikave doganore dhe funksionimin e komandës policore. Në këtë kuadër, zëvendëskryeministri Kuçi theksoi se Kosova nuk kërkon asgjë më tepër nga EULEX sesa kryerjen e mandatit që ka, prandaj roli i EULEX nuk duhet të shihet nga një perspektive tjetër, u shpreh Kuçi

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›