E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX-i bastis Postën e Kosovës

Policia së EULEX-it në bashkëpunim me Task Forcën Anti-Korrupsion të Policisë së Kosovës, janë duke kryer aktualisht bastisje në tetë lokacione, duke përfshirë edhe Postë-Telekomin e Kosovës.

Tri nga këto lokacione janë në Prishtinë, ndërsa pesë të tjerat në Pejë, ndërkaq këto bastisje kanë të bëjnë me çështje financiare dhe të korrupsionit në lidhje me një licencë të telekomunikimit.

"Në sfond të këtyre hetimeve është bartja e një licence për telekomunikim të një ORRMV (Operatori në Rrjetin Mobil Virtual) në vitin 2007 dhe 2008 ndërmjet Dardafon Sh.p.k; Dardafon. NET. Sh.p.k dhe PTK-së, e cila dyshohet se është bërë në mënyrë të kundërligjshme", thuhet në njoftim.

Prandaj, zyrat e kompanisë "Dardafon Sh.p.k", kompanisë "Devolli grup Sh.p.k" kompanisë "Z-mobile" dhe banesat private të përfaqësuesve të këtyre kompanive janë duke u bastisur.

Përveç kësaj, disa zyra të PTK-së, në veçanti zyra e kryeshefit Ekzekutiv dhe banesa private e tij, janë objektiv i bastisjeve. Po ashtu, këto bastisje janë të lidhura me një hetim tjetër të dytë për korrupsion.

Bastisjet janë autorizuar nga gjykatësi i procedurës paraprake i EULEX-it.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›