E Diel, 1 Nëntor 2026

EULEX-i drejton hetimet në rastin “Tisa”

Hetimet do të bëhen në kuadër të luftimit të trafikimit me qenie njerëzore. Policia e Kosovës konfirmon se do të dërgojë shumë shpejt në Hungari dy policë hetues, kurse një prokuror rasti, i cili është caktuar nga EULEX-i, pritet të vërë kontakte me autoritetet policore të Serbisë dhe ato të Hungarisë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, thotë se Policia e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë marrë përgjigje pozitive nga autoritetet hungareze për dërgimin e një ekipi hetuesish nga Kosova. “Fillimisht parashihet që të nisen dy zyrtarë policorë hetues nga shtylla e hetimeve të Policisë së Kosovës dhe një prokuror i rastit. Udhëtimi i tyre pritet të bëhet në një kohë sa më të shpejtë të mundshme”, tha Kelani.

Në rastin e cilësuar si dyshim për trafikim të qenieve njerëzore, tashmë është përfshirë edhe EULEX-i. Një zëdhënësi i EULEX-it ka konfirmuar caktimin e prokurorit ndërkombëtar të EULEX-it për këtë rast. “Prokurori i EULEX-it është zgjedhur të udhëheqë rastin. Ne ende nuk e dimë se kur do të udhëtojë ky prokuror për në Serbi, apo Hungari”, deklaron zëdhënësi Nokolas Hoten.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, tha po ashtu se policia po zhvillon hetimin e rastit edhe brenda Kosovës, në përpjekje të kapjes së personave të dyshuar për këtë rast. Hetimet do të zhvillohen në kuadër të zbardhjes së rastit dhe luftimit të trafikut të qenieve njerëzore.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›