E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX-i garanton për lirimin e Haradinajt

Prishtinë, 24 gusht - EULEX-i ka pranuar përgjegjësitë, me disa kushte, për lirimin e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj nga paraburgimi i Gjykatës së Hagës. Përveç për Haradinajn, ish-komandant i UçK-së për Zonën e Dukagjinit, misioni i Bashkimit Evropian ka garantuar edhe për lirimin e ish-bashkëluftëtarit të tij, Lahi Brahimaj.
Sipas gazetës serbe “Politika”, që e transmeton Telegrafi, EULEX-i e ka marrë përgjegjësinë për lirimin e tyre deri në rifillimin e gjykimit të pjesshëm të caktuar nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi. Sipas kësaj gazete, EULEX-i ka pranuar që Haradinaj të lirohet përkohësisht, me kusht që gjatë kësaj periudhe të mos largohet nga Prishtina (vendbanimi) ose Gllogjani (vendlindja), si dhe të njoftojë këtë mision 24 orë përpara kur lëviz nga njëri vend në tjetrin.

“Gjatë lirimit me kusht, Haradinaj nuk ka të drejtë të merr ndonjë post qeverisje në Kosovë, nuk ka të drejtë të merr pjesë në aktivitete publike dhe as të bëjë deklarata publike, por mund të vazhdoj aktivitetin e tij partiak”, citon një komunikatë të EULEX-it kjo e përditshme serbe.

Dhoma e Apelit e Gjykatës së Hagës vendosi muajin e kaluar për rigjykim të pjesshëm të Haradinajt, edhe pse ai ishte shpallur i pafajshëm nga kjo gjykatë për të gjitha pikat që e ngarkonin atë si ish-komandant i UçK-së për Zonën e Dukagjinit. Vendimi për rigjykim të pjesshëm të Haradinajt është vlerësuar nga shumë analistë si përpjekje për balancim të situatës, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare.

Ditë më parë mediet, duke u thirrur në burime anonime, kanë njoftuar se ish-kryeministri i Kosovës, Haradinaj do të lirohet të mërkurën nga paraburgimi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›