Imecs: Kosova e ka vendin në familjen evropiane

Prishtinë, 24 gusht - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, ka pritur të henën, në një takim lamtumirës, ambasadorin e Republikës së Hungarisë në Prishtinë, Zoltan Imecs. Në takim është biseduar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe për mundësitë për thellimin e tyre, në të ardhmen. Ambasadori hungarez në largim ka theksuar se pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nuk ka asnjë arsye për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës nga shtetet e tjera. Ai ka shfaqur bindjen se deri në vjeshtë numri i njohjeve do të rritet. Ambasadori Imecs ka shprehur edhe gatishmërinë e vendit të tij për mbështetjen e proceseve për integrimin e Kosovës në strukturat evropiane. “Kosova e ka vendin në familjen evropiane, sepse ajo dhe qytetarët e saj janë evropianë”, ka thënë ambasadori Imecs. Ndërsa kryetari Krasniqi e ka falënderuar ambasadorin Imecs për bashkëpunimin e deritashëm dhe për mbështetjen që kanë dhenë ai dhe qeveria hungareze për Kosovën.