E Diel, 1 Nëntor 2026

EULEX-i ka njerëz të cilët duan të na përçajnë

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, zëri i së cilit u dëgjua në biseda të incizuara me katër zyrtarë të lartë të partisë së tij, përfshirë kryeministrin e vendit, ka thënë se është shumë i zhgënjyer nga EULEX-i pas publikimit të incizimeve, në të cilat ai është subjekti kryesor.

“Jam i bindur se në përbërjen e EULEX-it ka njerëz të cilët duan të na përçajnë. Kurrë nuk kam besuar se ndërkombëtarët, ata të cilët ne ua kemi dhënë besimin për të pasur rend dhe ligj, janë shkelësit më të mëdhenj të rendit dhe të ligjit”, ka thënë Grabovci, për “Tribuna Shqiptare”, siç transmeton IndeksOnline.

Por ai ka thënë se megjithatë do të bashkëpunonte me EULEX-in për ta sqaruar këtë çështje.

Grabovci thekson se ai personalisht ka kanale të veçanta të komunikimit dhe ka rol të veçantë për të koordinuar punët me zyrtarë të Qeverisë, të Kuvendit dhe të institucioneve tjera.

Ai nuk ka lënë të kuptojë se do të kërkonte falje, siç ka kërkuar kryeparlamentari Jakup Krasniqi.

Sipas tij, publikimi i incizimeve është shkelje e rëndë e privatësisë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›