E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ecën reforma

Liderët e partive politike pritet që së bashku me përfaqësuesit e shteteve të Quintit të takohen në mesin e dhjetorit të këtij viti, për të definuar çështjet e mbetura pezull në reformën zgjedhore. Burime të Express thonë se po synohet që në pranverë të përfundojnë të gjitha reformat duke përfshirë edhe ato kushtetuese.

Liderët e partive politike në Kosovë pritet që në mesin e muajit dhjetor të ulen në tryezën e bisedimeve për të diskutuar rreth vazhdimit të reformës zgjedhore.

Bëhet e ditur se përveç liderit të PDK-së, Hashim Thaçi, dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa pjesë të takimit do të jenë edhe përfaqësuesit të AAK-së, si dhe përfaqësuesit e shteteve anëtare të Quintit.

“Pas takimit të parë që patën Thaçi dhe Mustafa, janë dakorduar që të takohen sërish së bashku me shtetet e Quintit në mënyrë që të diskutohet rreth çështjeve të mbetura pezull si listat, anëtarët e KQZ-së, si dhe zonat zgjedhore”, ka thënë një zyrtar i lartë i LDK-së për Express.

I njëjti tha se ky takim do të jetë definues për çështjet e mbetura pezull edhe në reformën kushtetuese.

“Synimi është që të gjitha reformat edhe ato zgjedhore, po edhe kushtetueset të cilat varen prej këtyre të fundit, të përfundohen në pranverën e vitit të ardhshëm. Ky është edhe kushti i ndërkombëtarëve”, ka thënë burimi.

Kohë më parë LDK-ja e Isa Mustafës e kishte ndarë zbatimin e reformës zgjedhore nga ajo kushtetuese, e që ka të bëjë me zgjedhjen dhe kompetencat e Presidentit.

Mirëpo, tash edhe partia e Isa Mustafës po pajtohet për të ecur reforma zgjedhore përpara, duke e ndryshuar edhe Kushtetutën vetëm në ato nene që kanë të bëjnë me zonat zgjedhore, listat zgjedhore dhe përbërjen e KQZ-së.

Nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova, pati thënë se pozicioni i partisë së tij është që reforma të ecë përpara edhe duke e ndryshuar Kushtetutën.

“Reforma zgjedhore duhet të bëhet, por paraprakisht duhet të bëhen ndryshime edhe në Kushtetutë. Temat dhe listat, zonat janë të vendosura në Kushtetutë dhe na detyron të bëjmë ndryshime kushtetuese”, ka thënë Rugova për Express.

Rugova ka përsëritur se ndryshimet kushtetuese sa i përket Presidentit nuk do të përkrahen për aq kohë sa nuk largohet Atifete Jahjaga nga Presidenca.

Ai ka thënë se LDK-ja do të kërkojë edhe nga partitë e tjera të merren vesh dhe të ndryshojnë Kushtetutën vetëm në ato nene që kanë të bëjnë me procesin dhe reformën zgjedhore.

Edhe në PDK kërkojnë që të ndryshohet Kushtetuta për të ecur përpara reforma.

“Një gjë dihet, nuk mundet të caktohet sistemi i ri zgjedhor pa u ndryshuar Kushtetuta, sepse edhe njësitë zgjedhore, edhe listat janë kategori kushtetuese, pra duhet të amendamentohet Kushtetua së pari”, pati thënë Arsim Bajrami i PDK-së.

Ndryshe, bllokada në reformën zgjedhore ekziston që nga 20 shtatori i këtij viti kur LDK-ja e Isa Mustafës kishte dalë nga reformat zgjedhore. Kjo në shenjë revolte për moszbatimin e marrëveshjes mes Mustafës, Thaçi dhe Pacollit, që ishte nënshkruar edhe në formë rezolute në Kuvend, e që ka të bëjë me largimin e Atifete Jahjagës gjashtë muaj pas përfundimit të reformave.

Kjo për t’ia hapur rrugën zgjedhjeve të para të lira presidenciale në Kosovë. Mirëpo, largimi i Jahjagës u pamundësua si pasojë vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që e quajti atë akt shkelje e të drejtave të njeriut.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›