E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX-i përgënjeshtron Bogdanovicin


Zyrtarë të EULEX-it thonë se bisedimet e shefit të misionit, Yves de Kermabon, me zyrtarët serbë u përqendruan në normalizimin e punës në gjykatat në veri dhe se ato do të vazhdojnë në një të ardhme të afërt.

Por BBC ka mësuar, nga burimet e afërta, se bisedimet për çështjen e gjykatave në veri, mes EULEX-it dhe autoriteteve serbe, do të vazhdojnë javën e ardhshme në Beograd dhe se një pajtueshmëri për rifillimin e punës në gjykatat, që cilësohen shumëkombëshe, mund të arrihet brenda një periudhe të shkurtër.

Ndryshe, deklaratat e misionit evropian për sundimin e ligjit, pasuan pohimet e ministrit serb për Kosovën, Goran Bogdanovic, se është arritur një marrëveshje me shefin e EULEX-it, për krijimin e grupeve të përbashkëta punuese dhe se takimet e tyre do të jenë të shpeshta në javët e ardhshme.

Zyrtarët serbë u takuan të mërkurën në Beograd de Kermabon për të diskutuar një numër çështjesh, përfshirë edhe atë të gjykatës në veri, e cila nuk ka arritur të funksionalizohet që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, dy vjet më parë. Zyrtarë të misionit të EULEX-it, i cilësuan bisedimet për gjykatat në veri si pozitive, konstruktive dhe të sinqerta por mohuan të jetë arritur çfarëdo marrëveshje për krijimin e grupeve punuese për çështjen e drejtësisë, policisë dhe të doganave.

Vizita e de Kermabon në Beograd, erdhi pas bllokimit të bisedimeve në nëntor të vitit të kaluar kur autoritetet serbe shtruan një numër kushtesh për zhbllokimin e punës së gjykatave. Autoritetet në Prishtinë ndërkaq thonë se çështja e funksionalizimit të gjykatave në veri kërkon zgjidhje urgjente, por sipas tyre, kjo është çështje e brendshme e Kosovës. /BBC/start/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›