Komisionerët socialistë ankohen në Gjykatën e Apelit
Tre komisionerë të Partisë Socialiste që u dënuan një ditë më parë nga Gjykata e Shkodrës me 90 mijë lekë gjobë kanë apeluar vendimin e Gjykatës së Faktit në Gjykatën e Apelit Shkodër. Sipas tyre, dënimi jo vetëm që është i padrejtë, por nuk ka mbështetje ligjore, pasi votimi në atë qendër nuk është njohur nga Kolegji Zgjedhor. Një ditë më parë gjykata ka deklaruar fajtorë të tre komisionerët e Partisë Socialiste të Qendrës së Votimit nr. 342 të fshatit Juban, për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve, si dhe për braktisjen e qendrës së votimit. Procesi gjyqësor drejtohej nga gjykatësi Aleks Nikolli, i cili vendosi gjobitjen e tre komisionerëve të Partisë Socialiste me 90 mijë lekë të reja. Edmond Pjetraj, Pjetër Lazri dhe Aurel Hila ishin anëtarë të Komisionit të Qendrës së Votimit nr. 342 në fshatin Juban dhe më 28 qershor braktisën qendrën e votimit, pasi konstatuan se në kutinë e votimit kishte më shumë fletë votimi se sa votues.
#