EULEX-i po e përmbush mandatin?

Përfaqësuesit e EULEX-it kanë deklaruar se debati i të premtes në Kuvendin e Kosovës, gjatë të cilit ky mision u vu në qendër të kritikave, është pjesë e çdo demokracie parlamentare. Ndërkaq, ata kanë shprehur përkushtimin e misionit për shtrirjen e sundimit të ligjit në very, përkushtim të cilin e vënë në pikëpyetje analistët politikë në Prishtinë.
Njëri nga zëdhënësit e këtij misioni, James Nichols, tha se EULEX-i është duke përmbushur mandatin e tij në pjesën veriore të Kosovës, ndërsa përmendi disa nga sukseset e misionit që nga vendosja e tij në atë pjesë.
“EULEX-i dëshiron të ritheksojë se është i pranishëm në pjesën veriore të Kosovës dhe se është duke e përmbushur mandatin e tij. Një nga shembujt e suksesit të tij është se që nga rihapja e Gjykatës së Qarkut në veri, gjykatësit e EULEX-it kanë marrë 34 vendime. Qëndrimi i EULEX-it mbetet i njëjtë: gjykatësit e prokurorët vendorë duhet të kthehen në gjykatë. Doganierët e EULEX-it janë të pranishëm në pikat doganore 1 dhe 31 në çdo kohë për të regjistruar veturat, mallrat dhe për të skanuar dokumentet, punë që i kontribuon zvogëlimit të kontrabandimit në këtë pjesë të Kosovës”, deklaroi Nichols.
Komenti i tij pason debatin e fundit në Kuvendin e Kosovës, gjatë të cilit misioni evropian u akuzua për përdorimin e standardeve të dyfishta lidhur me sundimin e ligjit në veri. Deputetët kosovarë thanë se EULEX-i po toleron krimin e kryer nga serbët në veri e në anën tjetër, po ndjek për krime lufte pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Shefi i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, Bekim Baliqi, foli për ngjashmëritë ndërmjet punës së administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe EULEX-it, i cili, sipas tij, po e vazhdon `status-quo` në veri.
Këto rezultate, sipas Baliqit, po mungojnë sa u përket gjykatave, doganave dhe policisë në pjesën veriore të Kosovës. Ai tha se nuk është e mjaftueshme vetëm një prani e EULEX-it në veri.
Mandati i EULEX-it e përcakton atë si mision monitories dhe këshillues për institucionet vendore në fushën e drejtësisë me fuqi ekzekutive në disa segmente. Ai buron nga plani i Ahtisaarit, ftesa e Prishtinës zyrtare për instalimin e misionit në vend dhe miratimi i punës së këtij misioni nga Brukseli zyrtar.