E Diel, 1 Nëntor 2026

Sali Lusha kërkon lirimin, avokati: S`ka rrezikshmëri

 

Tirane - Sali Lusha, ish-truproja e kryeministrit Sali Berisha, kërkon lirimin nga masa e sigurisë "arrest me burg me afat" prej së cilës ndodhet që prej datës 8 gusht. Me anë të një kërkesë depozituar në gjykatë, Lusha ka kërkuar ndryshimin e masës së tij të sigurisë me një tjetër masë më të lehtë. Bëhet e ditur se kërkesa është dorëzuar dje në Gjykatën e Kavajës, gjykatë e cila vendosi masën e sigurisë për të dhe personat e tjerë të ndaluar së bashku me Lushën, teksa policia po inspektonte zbatimin e urdhrit për ndotjen akustike në zonat turistike. Mësohet se në kërkesë Lusha pretendon caktimin e një masë me të lehtë sigurie duke e argumentuar me faktin që vepra për të cilën ai është lënë në burg për 20 ditë, nuk paraqet rrezikshmëri shoqërore. Gjithashtu, në kërkesë pohohet edhe fakti se vepra që akuzohet varion në dënimin e saj nga gjoba deri në një vit burg. Ndërsa është dërguar dje në gjykatë, kërkesa e tij pritet të shqyrtohet brenda dy ditëve në vijim. Pak ditë më parë, teksa merrej në pyetje nga prokurori i çështjes, Lusha nuk pranoi të ishte konfrontuar me policinë dhe as të kishte thyer urdhrin e Policisë së Shtetit për fikjen e muzikës në zonat turistike pas mesnatës. Sipas deklarimeve të Lushës, muzika në kompleksin në pronësi të tij në bregdet pranë Shkëmbit të Kavajës ishte fiksuar para orës 24:00 dhe se ai kishte pranuar qetësisht shoqërimin në polici. Lusha u arrestua nga policia mbrëmjen e 5 gushtit në ambientet e kompleksit të tij në bregdet. Sipas policisë, Lusha dhe 7 persona të tjerë miq të tij, u konfrontuan me forcat e rendit pasi nuk kishin zbatuar urdhrin e Policisë së Shtetit në lidhje me ndotjen akustike në bregdet. Pas arrestimit gjykata caktoi për katër prej tyre, masën e sigurisë "arrest me afat 20 ditë", ndërsa për katër të tjerët masën e sigurisë "detyrim paraqitjeje". Sipas prokurorisë Lusha dhe shtatë të tjerët akuzohen për "prishje të rendit dhe qetësisë publike", "kundërshtim të forcave të rendit" dhe "mosbindje ndaj policisë".        ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›