E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX-i premton t’i japë prioritet rastit Kiçina

Gjatë një takimi të paplanifikuar nga ana e Komunitetit të Artistëve dhe Këshillit Organizativ të Protestës, përfaqësuesit e EULEX-it i kanë garantuar këta të fundit se rastin Kiçina do ta trajtojnë me prioritet, ndërsa në bazë të fakteve dhe argumenteve që i kanë në dispozicion do të shpallin edhe vendimin.

Kështu ka bërë të ditur të premten Sebahate Shala, anëtare e Këshillit Organizativ të Protestës. Shala theksoi se kanë kërkuar nga Henrik Villadsen, shef i stafit të EULEX-it, dhe me asistenten e tij Tinana Lehako, që të bëjë gjykim të drejtë, të paanshëm dhe profesional të vëllezërve Kiçina dhe Ramadani.

Gjithashtu është kërkuar të ri-hetohet rasti, të gjenden provat e humbura nga UNMIK-u dhe të riadministrohen ato, në mënyrë që të merret një vendim në përputhje me ligjet në fuqi.

“Këta zotërinjtë na garantuan që do ta trajtojnë rastin Kiçina me prioritet. Ata tregun se kanë qenë të informuar lidhur me kërkesat tona edhe me paralajmërimin e performancës sonë. Ne i shpjeguam atyre që qëllimi ynë nuk ka qenë dëmtimi i pronës së EULEX-it apo hyrja me dhunë. Qëllimi ynë ka qenë vetëm vendosja e afisheve dhe sloganeve me kërkesat tona, “EULEX mos i përsërit dështimet e UNIMK-ut”, “EULEX sill drejtësi për rastin Kiçina” dhe “EULEX gjej provat e humbura nga UNMIK-u”, në rastin në fjalë”, ka thënë Shala.

Përfaqësuesit e EULEX-it thuhet se kanë premtuar ata se në bazë të fakteve dhe argumenteve që i kanë në dispozicion do ta shpallin edhe vendimin.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›