E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenti, vdes dy ditë para dasmës 24-vjeçari

FIER/ Automjeti i drejtuar nga Axhem Resuli është përplasur me një kamionçinë teksa përpiqej të parakalonte


FIER - Ka humbur jetën vetëm dy ditë para se të kurorëzonte lidhjen e tij bashkëshortore një 24-vjeçar. Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në qytetin e Fierit, ku ka humbur jetën shtetasi Axhem Resuli si rezultat i përplasjes me një makinë "Iveko" tip kamionçinë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në vendin e quajtur "Çezma e Mbyetit" rreth dy kilometra larg qytetit të Fierit.


Shtetasi Axhem Resuli, banues në Patos, i cili ishte drejtues i një mjet tip "Volksvagen Pasat" me targa MK 2915 A në momentin e aksidentit po lëvizte nga Fieri në drejtim të Patosit.


Nga dëshmitarë të ndryshëm pohohet fakti se 24-vjeçari Resuli kishte kaluar disa herë në këtë aks rrugor për punët e tij personale. Pikërisht në udhëtimin e tij të fundit, pasi siç mësohet, ditën e diel ai do të martohej, ai është pëplasur me automjetin e tij, duke humbur jetën.


Mësohet se pranë një servisi gomash, 24-vjeçari i cili nxitonte, ka dashur të parakalojë një mjet tjetër që kishte para, por fatkeqësisht është përplasur me një kamionçinë tip "Iveko" që shkonte në drejtim të Fierit. Nga kjo përplasje e fortë makina është futur disa centimetra brenda mjetit Iveko, ndërsa drejtuesi i saj Axhem Resuli ka humbur jetën.


Ai është nxjerrë nga disa persona që ndodheshin pranë këtij aksidenti, por në pamundësi për ta shpëtuar. Ai kishte gjetur vdekjen në vendin ngjarjes. Trupi i të riut është çuar në morgun e spitalit të Fierit ku është tërhequr me të qara dhe kujë nga familja dhe njerëzit e tij.


Ngjarja ka qenë e rëndë e shumë e dhimbshme për familjen Resuli jo thjesht për moshën e të riut, por edhe për faktin se 24-vjeçari do të martohej të dielën. Duket se pikërisht kjo ngarkesë ka bërë që i riu të humbë kontrollin e drejtimit të timonit dhe të përplaset me komionçinën.


Policia rrugore ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ekspertë të saj po hetojnë lidhur me këtë aksident ku humbi jetën 24-vjeçari Axhem Resuli, banues nga qyteti i Patosit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›