E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, pranga dy zyrtarëve për abuzime

KORRUPSIONI/ Përparim Toro ishte kryetari i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në vitet 2005-2006

Ish-kryetari u dha me dokumente të falsifikuara një sipërfaqe prej 900 hektarësh dy anëtarëve të komisionit


GJIROKASTËR- Ish-kreu i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Gjirokastër është vendosur në pranga, pasi akuzohet se u ka dhënë dy ish-anëtarëve të po të njëjtit komision një sipërfaqe prej 900 hektarësh me dokumente të falsifikuara.


Ndërkaq, pas një hetimi më shumë se 6- mujor është arrestuar edhe drejtori aktual i pyjeve në Përmet, Mihallaq Çapollari, i cili ka lejuar të priten rreth 2000 ha pyll. Dy të arrestuarit do të përballen me akuzën "shpërdorim detyre".


Pronat


Burime zyrtare të policisë kanë bërë të ditur se arrestimi i dy personave është bërë në bazë të urdhrit të prokurorit, pas caktimit të masës së sigurisë nga ana e Gjykatës së Shkallës së Parë të rrethit Gjyqësor Gjirokastër.


Për tri zyrtarë të ish-Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, masat e sigurisë kanë qenë përkatësisht "arrest me burg" për ish- kreun e tij në vitet 2005-2006, Përparim Toro dhe "detyrim paraqitje" për shtetasin H.C, ish-anëtar i Kthimit dhe Kompesimit të Pronave, si dhe për shtetasen me inicialet V.Ç. "Shpërdorim detyre" është akuza e ngritur ndaj tyre, pasi dyshohet se kanë dhënë certifikata pronësie në mënyrë jo të rregullt.


"Shtetasi Përparim Toro, 55 vjeç, lindur dhe banues në Gjirokastër, në periudhën kohore 2005- 2006, kur ishte me detyrë kryetar i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në qarkun Gjirokastër iu ka dhënë dy anëtarëve të komisionit certifikatën e pronësisë për një sipërfaqe prej 2300 hektarësh, nga të cilat 1400 ha u janë dhënë me vendim gjykate, ndërsa pjesa tjetër u është dhënë me dokumente të falsifikuara", thuhet në komunikatën zyrtare të policisë në lidhje me këtë ngjarje.


Pyjet


Ndërkaq, pas një hetimi që ka zgjatur më shumë se 6 muaj, në pranga ka përfunduar edhe drejtori i Ndërmarrjes Pyjore në Përmet, Mihallaq Çapollari. Edhe për të Gjykata e Faktit në bazë të provave të paraqitura ka caktuar masën e sigurisë "arrest me burg".


"Shtetasi Mihallaq Çapollari, 59 vjeç, lindur dhe banues ne Përmet, duke ushtruar detyrën e Drejtorit të Pyjores, dega Përmet ka lejuar të priten sipërfaqe të mëdha pyjore, rreth 2000 hektarë në komunën e Çarshovës nga dy shtetas me inicialet V.Ç.


dhe Z.Ç., me origjinë nga Çarshova, të cilët pretendonin se i kishin pronat e tyre dhe kanë bërë prerjen e lëndës drusore, duke e përpunuar dhe kthyer në qymyr druri dhe më pas e kanë eksportuar për në shtetin grek", thuhet më tej në komunikatën e policisë.


Pas denoncimit të bërë nga komuna Çarshova, hetimet nën operacionin e koduar "Hetimi i zgjatur", të kryera prej Prokurorisë në bashkëpunim me Sektorin Kundër Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër janë përmbyllur me provat që i janë paraqitur më pas gjykatës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›