EULEX-i të mbështesë masat e reciprocitetit

(E plotësuar) Moszbatimi i ligjit nga ana e EULEX-it në të gjitha pikat doganore të vendit vendimin për masat e reciprocitetit e bën gjysmak dhe jo fuqiplotë. Kështu është thënë në takimin e organizuar të hënën nga Aleanca Kosovare e Biznesit me biznese të ndryshme të Kosovës dhe me ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila.
Çështja e masës së reciprocitetit që ka vënë Qeveria e Kosovës ndaj mallrave të Serbisë si duket nuk po zbatohet nga ana e EULEX-it dhe ky vendim del të jetë i vlefshëm vetëm për dy pika doganore, përderisa e njëjta nuk do të vlejë edhe më tej për pikat kufitare të veriut 1 dhe 31.
Agim Shahini, kryetar i Agjencisë Kosovare të Biznesit (AKB), ka thënë se moszbatimi i ligjit nga ana e EULEX-it në të gjitha pikat doganore të vendit vendimin për masat e reciprocitetit e bën gjysmak dhe jo fuqiplotë.
“Neve na brengos fakti i EULEX-it që ky vendim nuk zbatohet në ato dy pika dhe e bën këtë vendim të jetë gjysmak, të jetë i zbehur, të jetë karshi kërkesave dhe dëshirave që të vendoset rendi dhe ligji jo fuqiplotë. Prandaj i bëjmë ftesë institucioneve vendore të Kosovës, institucioneve ndërkombëtare në Kosovë, Brukselit, dhe të gjithëve që vendimet e Qeverisë të zbatohen në tërë territorin e Kosovës, e në këtë rast ata po e thyejnë vendimin rendin dhe ligjin, i cili është marrë në miratim të Qeverisë së Kosovës. Nëse nuk do të zbatohet ky ligj dhe ky vendim në pikën 1 dhe 31 do të ndodhin sfida të mëdha për qytetarët e Kosovës do të ndahen konsumatorët në mes të komunitetit serb”, ka thënë Shahini.
Ndërsa, ministrja e Industrisë dhe Tregtisë Mimoza Kusari Lila ka theksuar se volumi i tregtimit në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri, në ditën e dytë pas hyrjes në fuqi të vendimit, është përgjysmuar.
“Unë e kuptoj edhe skepticizmin dhe dyshimet e juaja për pikat 1 dhe 31. Më lejoni t’ju them që volumi i tregtimit përmes këtyre dy pikave që në ditën e dytë të hyrjes në fuqi të vendimit është përgjysmuar kryesisht duke pasur maune ose kamion që hyjnë me mall nga vendet e treta, gjegjësisht maune ose kamion që bartin produkte që nuk i kanë vulat e doganave të Serbisë, por kanë kaluar transit përmes Serbisë”, ka thënë Kusari-Lila.
Për më tepër, ministrja Kusari-Lila ka thënë se vendimi për masat e reciprocitetit nuk ka për qëllim ndarje etnike, por ka vetëm karakter ekonomik dhe nuk ekziston asnjë ide që Kosova të ndahet në dy zona doganore.
“Ky vendim nuk ka një ndarje etnike, por e ka një karakter tërësisht ekonomik. Nuk është ideja që Kosova të ndahet në dy zona doganore ose të blejë një palë me rregulla për popullatën serb, ndërsa një palë për atë shqiptare, por që të ketë një rregull të qartë në tregun e Republikës së Kosovës dhe që të ketë një zbatim të drejtë të ligjit në gjithë territorin e republikës së Kosovës”, është shprehur Kusari-Lila.
Qeveria e Kosovës më 20 korrik ka marrë vendim për masa reciprociteti të plotë për produktet e Serbisë, ndërsa për Bosnjë e Hercegovinën taksë doganore prej 10 për qind.
Vendimi është bazuar në faktin se kanë dështuar arritjet e marrëveshjeve për njohjen e vulave doganore të Kosovës dhe për këmbimin e lirë të mallrave, në procesin e dialogut me Serbinë, në Bruksel.
Por ky vendim del të jetë i vlefshëm vetëm për dy pika doganore përderisa e njëjta nuk do të vlejë edhe më tej për pikat kufitare të veriut. Për pasojë, importuesit mallrave do të mund të shfrytëzojnë lirisht pikat 1 dhe 31, por mallrat pasi nuk do të zhdoganohen, do të konsiderohen ilegale.
EULEX ka njoftuar se kjo çështje ka komplikuar gjërat dhe vendimi i qeverisë është duke u diskutuar.
Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina janë shtetet, të cilat që nga viti 2008 kanë bllokuar produktet kosovare, në kuadër të marrëveshjes për tregtinë e lirë CEFTA. /kosovapress/
Bizneset serbe ankohen në BE për Kosovën
Oda e Tregtisë së Serbisë, Këshilli për Investitorët e Huaj, Oda Ekonomike Amerikane e Serbisë dhe Klubi “Biznesmeni” kanë kërkuar sot nga Bashkimi Evropian që ta anulojë vendimin e qeverisë kosovare për ndalimin e mallrave që hyjnë nga Serbia në Kosovë.
Qeveria e Kosovë ka marrë këtë vendim në javën e kaluar, pasi që Serbia ka më shumë se dy vjet që nuk i njeh vulat doganore të Kosovës, dhe rrjedhimisht, mallrat kosovare nuk mund të futen në shtetin serb.
Qeveria e ka quajtur këtë “masë reciprociteti”.
Në nje letër të hapur për komisionerin për Zgjerim të BE-së, Shtefan Fyle, shoqatat e biznesit shkruajnë se Kosova me këtë po e shkel marëveshjen e CEFTA-s.
“Ju drejtohemi juve, dhe institucioneve tjera përgjegjëse evropiane me inciativën, që në mënyrë urgjente të aktivizohen të gjithë mekanizmat për të anuluar vendimin për hyrjen e mallrave nga Serbia”, thuhet mes tjerash në letrën që e transmetojnë mediat serbe.
Aty thuhet se ekonomia në Serbi, si kompanitë vendëse ashtu edhe ato ndërkombëtare, tashmë janë dëmtuar nga ‘embargoja’ kosovare.
EULEX nuk zbaton vendimin e Qeverisë
Çështja e masës së reciprocitetit që ka vënë Qeveria e Kosovës ndaj mallrave të Serbisë nuk do të zbatohet në veri të vendit. EULEX ka njoftuar se kjo çështje ka komplikuar gjërat dhe vendimi i qeverisë është duke u diskutuar. Kreu i doganave të Kosovës, Naim Huruglica ka konfirmuar për Radio Kosovën se EULEX-i nuk po zbaton vendimin.
Vulat doganore të Serbisë do të vlejnë edhe më tej në veri të Kosovës. Vendimi i qeverisë së vendit për vënien e masës së reciprocitetit me Serbinë sipas EULEX-it dhe doganave të Kosovës është i pjesshëm, ngase ky vendim nuk po zbatohet nga misioni i BE-së për sundim të ligjit në veri të Kosovës.
Zëdhënësja e komponentit të doganave të EULEX-it, Aleksandra George ka thënë se gjithçka është duke u diskutuar. “EULEX-i është i njoftuar me vendimin Qeverisë së Kosovës. Ne ende jemi duke e diskutuar fushëveprimin dhe efektin e këtij vendim. Në vazhdim janë duke u bërë disa diskutime me zyrtarët e Qeverisë së Kosovës për të parë pasojat e kësaj” , ka thënë George.
Mos respektimin vendimit të qeverisë për masën e reciprocitetit në portat 1 dhe 31 e ka konfirmuar edhe vetë kreu i doganave të Kosovës, Naim Huruglica. Ai ka thënë se Kosova nuk do të mund të vejë masë të plotë reciprociteti.
Javën e kaluar Qeveria e vendit pas shumë paralajmërimeve ka vendosur masën e reciprocitetit të mallrave me Serbinë dhe atë të 10 përqindëshit të doganës për Bosnjë e Hercegovinën.Por ky vendim del të jetë i vlefshëm vetëm për dy pika doganore përderisa e njëjta nuk do të vlen edhe më tej për pikat kufitare të veriut. Për pasojë, importuesit mallrave do të mund të shfrytëzojnë lirisht pikat 1 dhe 31. Por mallrat, pasi nuk do të zhdoganohen, do të konsiderohen ilegale.
Prodhimet maqedonase vërshojnë Kosovën?
Kompanitë prodhuese dhe të distribuimit në Shkup bëjnë të ditur se janë shtuar kërkesat për në tregun kosovar dhe se janë rritur kapacitetet e eksportit të mallrave prodhuese. Pas embargos së Kosovës ndaj mallrave serbe dhe boshnjake, prodhimet e Maqedonisë kanë vërshuar masivisht në tregun kosovar.
Kompanitë prodhuese dhe të distribuimit në Shkup bëjnë të ditur për agjencinë e lajmeve INA se kërkesat janë shtuar për në tregun kosovar dhe se janë rritur kapacitetet e eksportit të mallrave prodhuese. Një pjesë e mallrave edhe pse janë me origjinë nga Serbia, ato megjithatë shpërndahen edhe në Maqedoni dhe më pas kalojnë edhe në Kosovë.
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP) vlerëson se kjo embargo mundëson rritjen e shkëmbimit tregtar dhe eksportit drejt Kosovës. "Me përkeqësimin e marrëdhënieve tregtare midis Serbisë dhe Kosovës, po hapet mundësia për rritjen e eksportit të prodhimeve ushqimore nga vendi ynë drejt Kosovës", deklaroi kryetari i OEVMP-së, Menderes Ku[i.
OEMVP ka nisur hartimin e strategjive për të dominuar në tregun kosovar dhe se pritet intensifikimi i takimeve direkte, forumeve dhe panaireve. Lidhur me shpërndarjen e këtyre mallrave në Kosovë informojnë edhe nga kompania Dauti-Com, e cila ka përfaqësinë e saj në Kosovë, por edhe ka rritur kapacitetet e eksporteve për shkak të kërkesës së shtuar.
Prodhimet ushqimore, prodhimet e ndërtimit dhe prodhime të tjera prijnë në listën e eksportit dhe se ato variojnë varësisht nga kërkesat që vijnë nga tregu kosovar.
Maqedonia deri tani për çdo vit shënon suficit në tregtinë me Kosovën, mirëpo një e treta e eksportit dominon nga derivatet e naftës nga rafineria OKTA në Shkup. Mallrat dhe prodhimet e ndryshme nga Maqedonia vazhdojnë të jenë të pranishme dhe të kërkueshme në Kosovë, edhe përkundër pranisë së fundit të kompanive sllovene dhe kroate, ndërsa kohëve të fundit edhe të kompanive bullgare. (INA)