Vlerësojnë pozitivisht procesin e provimit pranues në UP

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Ramë Buja dhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Mujë Rugova, të hënën kanë vizituar Fakultetin Juridik të UP-së, me ç’rast janë shprehur të kënaqur me zhvillimin e procesit të mbajtjes së provimit pranues në UP.
Me këtë rast, ministri Buja shprehu besimin se suksesi nuk do të mungojë, pasi që sipas tij ka qenë një testim i diturive dhe të njohurive të këtyre nxënësve që tani bëhen studentë.
“Ne vizituam Fakultetin Juridik, tri salla prej të cilave po mbahet provimi pranues, ne edhe paraprakisht kemi qenë të njoftuar se si do të shkojë kjo ecuri, por megjithatë këtu ju thashë se jemi të kënaqur me rrjedhën që shkon. Gjithsesi jemi të bindur se suksesi nuk do të mungojë, sepse ka qenë një test mature që ka bërë një testim njëherë të diturive dhe të njohurive të këtyre nxënësve që tani bëhen studentë dhe besojmë se rezultati nuk do të mungojë”, ka thënë Buja.
Lidhur me ecurinë e zhvillimit të këtij procesi është shprehur i kënaqur edhe rektori i UP-së, Mujë Rugova, i cili tha se deri më tani nuk ka pasur ndonjë vërejtje as nga studentët.
“Ne si menaxhment i UP-së që nga ora 9 jemi të gjithë mobil në këmbë dhe kemi vizituar thuaj shumicën e njësive akademike, ku mbahen provimet pranuese. Deri më tani çdo gjë ecë në rregull, nuk ka ndonjë vërejtje as nga studentët po as nga dikush tjetër dhe mund të ju them me plotë gojën se jemi të kënaqur me zhvillimin e procesit të provimit pranues deri më tani”, ka thënë Rugova.
Të kënaqur me rrjedhën e procesit të provimit pranues në UP janë shprehur të kënaqur edhe konkurrentët. Arta Pllana nga Vushtrria, konkurrente në Fakultetin e Edukimit, në drejtimin Edukim Parashkollor, ka thënë për Kosovapress se testi i provimit pranues ka qenë i lehtë.
“Testi nuk ishte shumë i vështirë, në matematikë pak ishte vështirë, po në gjuhën shqipe ishte shumë lehtë”, ka thënë Pllana.
Edhe konkurrenti tjetër Valmir Krasniqi, i cili kishte konkurruar në drejtimin e Shkencave Politike, thotë se nuk ka hasur në ndonjë vështirësi.
“Kam konkurruar në Shkenca Politike, provimi ishte me alternativa, nuk ishte aq i vështirë, më shumë kishte pyetje logjike”, ka thënë Krasniqi.
Ai shton se aplikimi online në drejtimin e dëshiruar nuk do të lejojë për ndonjë keqpërdorim apo parregullsi për mos regjistrim në drejtimin të cilin ka konkurruar.
Në 15 njësi akademike të Universitetit të Prishtinës, të hënën dhe të martën mbahet provimi pranues për studentë të rinj. Mbi 17 mijë maturantë kanë aplikuar për t’u pranuar në Universitetin e Prishtinës në vitin akademik 2011/2012, ndërsa do të pranohen 15 mijë e 423. /kosovapress/