E Diel, 1 Nëntor 2026

EULEX-i të tërhiqet gradualisht

Valdrin Krasniqi

Misioni Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, deri kah fundi i vitit 2014 duhet të tërhiqet. Ky është qëndrimi i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, KIPRED. Përfaqësuesit e kësaj organizate sot kanë publikuar një analizë gjithëpërfshirëse për punën e EULEX-it si dhe kanë dhënë rekomandimet e tyre për mandatin e mbetur të këtij misioni.

Shpend Kursani, autor i raportit, ka thënë se, deri tani krerët e EULEX-it kanë qenë gjeneral ushtrie dhe jo njerëz të sundimit të ligjit dhe kjo lë të nënkuptoj se EULEX-i është mision paqeruajtës.

Ai ka kërkuar që EULEX-i duhet t’i raportojë Kuvendit të Kosovës për punën që e bënë dhe në asnjë mënyrë të mos jetë jashtë Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kursani tha se mos njohja e Kosovës nga pesë vendet e BE-së, sigurisht që e ka penguar punën e këtij misioni, sidomos në veriun e vendit. Mirëpo sipas tij, institucionet e Kosovës nuk duhet të llogaritin në EULEX, po duhet të punojnë sa më shumë për të vënë rend dhe ligj në Kosovë.

Konteksti vendor në të cilin EULEX-i vepron ofron pak shpresa për një mision të tillë ndërkombëtarë që ta realizojë mandatin që i është besuar.

Sipas Shpend Kursanit, është evidente që forcat lokale të Ballkanizmit po e gllabërojnë misionin evropian poshtë në nivelin e tyre, dhe si i tillë, misioni rrezikon që të mposhtet me “përvojën” vendore në këtë aspekt.

Ai ka shtuar se luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit në një shoqëri që gjallë dhe akoma të lidhur në shumë nivele ofron pak shpresa se kërcënimet e tilla mund të trajtohen nga jashtë. Prandaj, ai konstaton se mandati që ka EULEX-i duhet që gradualisht të trasneferohet për t’u zbatuar nga vendorët.

Ndër të tjera në raport thuhet se misioni ka qëndruar mbi një buxhet të rehatshëm prej 613.8 milionë eurove, në pesë vitet e fundit, që është 75 për qindëshi i burimeve të tërësishme buxhetore të Kosovës të ndara për sundimin e gjerë të ligjit.

Ndërkohë, mesatarisht janë vetëm 2.1 aktgjykime të shqiptuara në vit nga një gjyqtarë i EULEX-it, derisa vetëm 0.29 aktgjykime të shqiptuara në vit nga një gjyqtar evropian, në rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit të profilit të lartë.

Analiza gjithashtu paraqet disa të dhëna që tregojnë paaftësinë apo mosdashjen e personelit gjyqësor vendor për t’u përballur me rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit të profilit të lartë. Njëjtë sikurse institucionet vendore të gjyqësisë edhe EULEX-i nuk është kursyer nga ndërhyrjet e jashtme politike në emër të stabilitetit. /Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›