E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX-i vë rregulla të reja për stafin në veri

Nga Express më 19 janar 2011 në ora 13:22

Misioni i BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX), pas rrahjes së tre pjesëtarëve të saj, në veri të Mitrovicës dhe rritjes së tensioneve në lidhje me targat serbe, ka vendosur rregulla të reja për anëtarët e tij në lidhje me qarkullimin në veri të vendit dhe në vendkalimet kufitare.

KosovaPress thotë se ka parë një dokument intern të EULEX-it, me të cilin veriu i Mitrovicës dhe i Kosovës shpallen si “zona të rrezikshme”, ndërsa pjesëtarët e EULEX-it porositen të jenë shumë të kujdesshëm.

Sipas dokumentit, Misioni i BE-së në Kosovë kërkon që policët e tij të jenë nën kontroll dhe në çdo kohë të dihet vendndodhja e tyre.

Kjo rregull vlen vetëm për veri të Mitrovicës dhe Kosovës, pasi që ditë më parë në dy raste të ndara janë rrahur atje 4 policë të EULEX-it dhe një pjesëtar i OSBE-së.

Në dokument, më tutje thuhet se pas incidentit të dhunshëm në pjesën veriore të Mitrovicës, ku ishin të përfshirë anëtarë të stafit të EULEX-it dhe rritjen e tensioneve në lidhje me targat serbe, EULEX-i ka vendosur rregulla të reja për anëtarët e tij në lidhje me qarkullimin në veri të Mitrovicës si dhe në portat G1 dhe G31.

Pjesëtarët e misionit EULEX që udhëtojnë për në komunat veriore të Kosovës, Zubin Potok, Zveqan, Leposaviq dhe veri të Mitrovicës, si dhe në pikat kufitare G1 dhe G31, duhet t’iu përmbahen rregullave që janë vënë në funksion nga ky mision, pas incidentit në veri të Mitrovicës.

Më konkretisht punonjësit e EULEX-it, duhet që me veti të kenë celularët, e po ashtu edhe radiolidhjet gjithnjë të kyçura.

Në rast se anëtarët e EULEX-it hyjnë në zonat e rrezikut, pra në pjesën veriore të Mitrovicës dhe Kosovës, për çfarëdo arsye, ata detyrohen të lajmërohen në bazën e tyre për vendndodhjen e saktë dhe arsyen e ndodhjes atje, në të kundërtën do të pasojnë ndëshkimet edhe me largimin e tyre nga Misioni.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›