EULEX, kontroll në pronat e Fatmir Limajt
Policia e EULEX-it bastisi Ministrinë e Transportit dhe prona të familjes së kreut të kësaj ministrie, Fatmir Limajt. Policia e EULEX-it ka hyrë dhe ka zhvilluar kontroll të rreptë dje në qendër të Prishtinës banesën në të cilën jeton vëllai i ministrit të Transportit, Fatmir Limaj, Florim Limaj. Forca të shumta të njësive speciale të Policisë së EULEX-it për rreth një orë kanë bllokuar kompleksin e banesave te kinemaja ABC, ku jeton familja Limaj. Argumenti për bastisjen ka qenë dyshimi se ministri Limaj është i përfshirë në afera korruptive me rastin e disa aktiviteteve të prokurimit. Ndërkaq, po dje janë bastisur edhe tri kompani përfituese të tenderëve të kësaj ministrie. Pa përmendur rastin konkret, policia e EULEX-it ka njoftuar se ka bastisur dje disa lokacione, në kuadër të hetimeve që udhëhiqen nga zyra e prokurorit special në Kosovë. “Në orën 15:55, Departamenti Ekzekutiv i Policisë së EULEX-it ka bastisur disa lokacione në rrethinë dhe brenda Prishtinës. Kjo është pjesë e vazhdës së hetimeve që udhëhiqen nga zyra e prokurorit special në Kosovë (PSRK)”, thuhet në komunikatën e shkurtër të shtypit të lëshuar, disa minuta pas aksionit, nga zyra e informacionit e EULEX-it. Një ditë më parë për arrestime të niveleve të larta dhe për shkarkime të reja nga institucionet e Kosovës ka paralajmëruar shefi i ICO-së, Pieter Feith, gjatë një ligjërate në Universitetin Amerikan. Mediat e Prishtinës patën paralajmëruar se Feith i kishte kërkuar Kryeministrit Hashim Thaçi largimin e një ministri, të një dikasteri të rëndësishëm në Qeverinë e Kosovës. Në lidhje me këtë bastisje ka reaguar ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi. Ai ka thënë se nuk ka informacione se për kë është duke hetuar Policia e EULEX-it, porse ai mbështet fuqishëm luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, nga kushdo qoftë që bëhet.
#