E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-PD, pas mitingjeve betejë në Bruksel

Të gjitha përgatitjet për takimin 3 e 4 majit në Bruksel. Raportet e forcave

Mazhoranca dhe opozita bëhen gati për betejën politike më të rëndësishme jo në rrugë, por në ndërtesën “Alitero Spinelli” në Bruksel, ku më 3 dhe 4 maj do të zhvillohet takimi i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit ndërmjet Bashkimit Europian dhe Shqipërisë. Pas mbylljes së dy mitingjeve të planifikuara nga palët më 30 dhe 01 maj, të hënën në orën 15 në kryeqytetin europian nis takimi i parë domethënës ndërmjet Brukselit dhe Tiranës për të përcaktuar hapat që Shqipëria duhet të ndërmarrë për të ecur me statusin e vendit kandidat. Mazhoranca dhe opozita kanë përgatitur lëvizjet që do të marrin në takimin e pasdites së 3 majit dhe në paraditen e 4 majit, kur do të bëhen edhe pyetjet nga eurodeputetët. Në zyrën e kreut të Kuvendit, Jozefina Topalli janë zhvilluar mbledhje intensive të delegacionit të djathtë që do të jetë prezent në takimin dyditor për Shqipërinë. Siç mësohet, përfaqësuesit e mazhorancës kanë përgatitur një material të gjatë mbi historikun dhe procesverbalet parlamentare mbi ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit. Ndërkaq, deputetët demokratë kanë marrë porosi dhe se me kë do të lobojnë dhe si duhet ta bëjnë atë në ndërtesën “ASP” ku ndodhet selia e komisioneve dhe delegacioneve të Parlamentit Europian. Nga ana tjetër edhe opozita ka ndërmarrë përgatitjet e “betejës” së Brukselit ku palët do të duhet të bëjnë përpjekjet finale për të bindur eurodeputetët se kush ka të drejtë, pasi një ditë më pas më 5 maj, nis seanca plenare e Parlamentit Europian ku do të miratohet rezoluta për Shqipërinë, e cila do të vërë piketat dhe kërkojë zgjidhje konkrete mbi krizën, natyrisht duke iu dhënë detyra përkatëse si mazhorancës ashtu dhe opozitës. Mazhoranca përfaqësohet në Komitetin Parlamentar të Asocim-Stabilizimit nga deputetët: Fatos Beja, Viktor Gumi, Albana Vokshi, Florian Mima, Jemin Gjana, Mesila Doda, Aldo Bumçi, ndërsa zëvendësues Arenca Trashani, Gert Bogdani, Shrefedin Shehu dhe Edmond Spaho, ndërsa socialistët do të përfaqësohen nga: Valentina Leskaj, Arben Malaj, Ditmir Bushati, Taulant Balla, Sajmir Tahiri, Ilir Beqja. zëvendësues janë Mimi Kodheli, Eduart Shalsi dhe Besnik Bare. Kryetari i këtij komiteti do t’i takojë mazhorancës dhe sipas të gjitha gjasave do të jetë deputeti Fatos Beja, ndërkohë që nënkryetari do të jetë i opozitës që mund të jetë deputetja Valentina Leskaj. Pjesëmarrës në këtë takim janë 52 europarlamentarët anëtarë të Delegacionit për Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Serbisë, Malit të Zi dhe Kosovës. Nga këto europarlamentarë, 24 i përkasin grupit të Partive Popullore Europiane, 14 i përkasin Grupit të Aleancës progresive të Socialistëve dhe Demokratëve, 4 i përkasin grupit të Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve, 3 i përkasin grupit të konservatorëve dhe reformistëve, 4 i përkasin grupit të të gjelbërve, dhe një eurodeputet i përket grupit të të majtëve të bashkuar dhe e gjelbra e majtë nordike. Ky deputet është pikërisht greku Nicholaos Countis, i cili relaton për Shqipërinë dhe është reporteri special që ka përgatitur rezolutën që duhet të miratohet nga Parlamenti Europian.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›