Prefekti i shkarkuar humbi gjyqin me katër punonjës
Pushohen nga puna pa motivacion, i shkaktojnë një dëm prej 5 milionë lekësh Prefekturës së Beratit. Kështu ka ndodhur me katër punonjës të administratës të pushuar disa muaj më parë nga puna. I sapoemëruar në atë kohë, në qershor të vitit 2009, prefekti Kostandin Lefta filloi “fshesën” e pashpjegueshme të stafit të prefekturës. Lëvizjet u kryen në zyrat e llogarisë, kartotekës, zyrën juridike, ndërsa u shkarkua edhe një shofer. Të katër punonjësit sapo morën informacionin për largimin nga puna u janë drejtuar organeve kompetente, pasi nuk kanë gjetur në rregulloren e këtij institucioni motivet për shkarkimin. Punonjësit në fillim kanë kërkuar sqarim nga prefekti Lefta, por pasi nuk kanë marrë asnjë përgjigje konkrete i janë drejtuar gjykatës. Burime të Gjykatës së Beratit bëjnë me dije se pas disa seancave gjyqësore të katër punonjësit kanë dalë të fituar, duke marrë edhe shpërblimin përkatës për muajt që nuk janë paguar nga institucioni. Po sipas këtyre burimeve, bëhet e ditur se prefekti e ka humbur këtë gjyq, pasi nuk është gjetur asnjë arsye për të justifikuar shkarkimin e katër punonjësve. Këta të fundit mësohet se veç shpërblimit për muajt e punës, kanë kërkuar edhe dëmshpërblim moral. Ndërkaq, gjyqi i humbur i ka shkaktuar kësaj prefekture një dëm prej 5 milionë lekësh.
#