Albpetrol, OSSH dhe bordi i kullimit, barriera për legalizimet
Objektet që janë ndërtuar pranë shtyllave të tensionit të lartë, pranë kolektorëve dhe pranë puseve të naftës, nuk do të legalizohen. Tri shkresa kanë mbërritur dje në zyrën e ALUIZNI-t në Berat, nga “Albpetrol”, OSSH dhe bordi i kullimit, me anë të të cilave secili subjekt përcakton qartë kufizimet që duhen marrë parasysh në procesin e legalizimeve.
Në qytetin e Beratit janë bërë 2700 deklarime për legalizim që vijnë nga lagjet informale siç është “Pjeshkorja”, “Kombinati”, “Uznova” etj., por dhe nga zonat e mbrojtura. Ndërkohë që nga 2370 deklarimet e ardhura nga qyteti i Kuçovës, një pjesë e madhe e tyre vijnë nga zonat përreth puseve në naftës.
Drejtoria e “Albpetrolit”, pas verifikimit të zonës naftëmbajtëse, ka deklaruar se mbi 280 banesa janë pranë puseve dhe kurrsesi nuk duhet të legalizohen. Mësohet se pranë drejtorisë së zyrës së privatizimeve në Berat, po nga rrethi i Kuçovës, kanë bërë deklarata për privatizim banese mbi 120 familje, të cilat me urdhëresën e re nuk duhet të pranohen.
Drejtori i Agjencisë së Legalizimit në Berat, Kujtim Pelivani, pohon se në drejtim të kësaj zyre ka mbërritur dje dhe një dokument nga zyra e OSSH-së, në të cilën theksohet se për mbi 105 objekte, të cilat ndodhen pranë shtyllave të tensionit të lartë dhe pranë kabinave elektrike nuk do të lejohet legalizimi, madje edhe nëse kanë filluar procedurat ato duhet të anulohen.
Po kështu, një tjetër shkresë zyrtare ka mbërritur nga bordi i kullimit, që thotë se do të ketë masa ndëshkimore nëse do të lejohen legalizime ndërtimesh që bëhen pengesë apo janë pranë kanaleve kulluese apo kolektorëve. Pelivani pohon se zyra e ALUIZNI-t nuk e ka pasur të lehtë punën për të kryer procesin e legalizimit në shumë zona të Qarkut të Beratit, por dërgimi i tri shkresave nga tri institucione të ndryshme e ka vështirësuar edhe më shumë punën, duke bërë që të rishikohen nga e para procedurat e legalizimit.
#